Numri i studentëve që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në Akademinë e Sigurisë, i cili merrej me katering nga kompania SORI-AL, ka shkuar në 64. Përpos 60 kursantëve të parë, 4 të tjerë janë paraqitur në urgjencë me po të njëjtat simptoma pasditen e djeshme.
Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje. Dosja e helmimit të dytë pritet të bashkohet në një të vetëm me helmimin e rastit të parë, ngjarje e ndodhur në fillim të muajit maj të këtij viti.
Përveç kompanisë SORI-AL, që çon ushqimin me katering në Akademi, burimet për Report Tv bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë edhe për institucionin e AKU-së. Sipas burimeve ky institucion po hetohet për të verifikuar nëse pas rikthimit të aktivitetit të SORI-AL në Akademi, ka kryer ose jo kontrolle të tjera në ambientet e saj gjatë 2 muajve të fundit.
Por në një reagim në faqen zyrtare AKU njofton se pas kësaj ngjarje ka kryer kontrolle te SORI-AL, ku thekson se kompania e ushtronte aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të përshtatshëm. AKU shton se ka marrë 14 mostra për kryerjen e analizave, dhe deri në përgjigjen e tyre aktiviteti i SORI-AL do të ndërpritet.
“Në këto ambiente u konstatuan kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues. Gjatë procedurës u krye marrja e 14 mostrave në ruajtje të ushqimeve të gatuara nga vakti i drekës dhe darkës të datës 24.06.2026, si dhe 5 mostra tampon për higjienën ambientale dhe të pajisjeve, të cilat u dërguan për analizim pranë ISUV.
Në adresën Garnizoni Skënderbej, Tiranë, u mor masë me ndërprerje aktiviteti deri në daljen e përgjigjes së analizave. Gjatë këtyre procedurave inspektimi ishin prezentë edhe institucione të tjera si NJVKSH Tiranë (të cilët morën tampone ambientale në ambiente, pajisje dhe punonjës) ISHSH dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, Tiranë”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë sot pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë, Alma Tafani, e cila që pas helmimit të parë të studentëve është duke u hetuar penalisht në gjendje të lirë.