Pas gati gjashtë vitesh nga arrestimi dhe një procesi të gjatë gjyqësor, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën vendimin e shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim, pasi u shpallën fajtorë për krime lufte.
Trupi gjykues i shpalli penalisht përgjegjës për ndalim arbitrar ose të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, ndërsa rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit.
Në nisje të leximit të aktgjykimit, kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith, theksoi se procesi nuk kishte të bënte me luftën çlirimtare të Kosovës apo me shtetin e Kosovës.
“Kjo çështje nuk ka të bëjë me pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Kjo çështje nuk ka të bëjë me Kosovën e pavarur.”
Më pas gjykata arriti në përfundimin se Prokuroria nuk kishte provuar një nga elementët kryesorë të akuzës për krime kundër njerëzimit.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile.”
Gjykata kaloi më pas te akuzat për krime lufte dhe tha se, sipas provave të shqyrtuara, 385 persona u ndaluan arbitrarisht në qendra ndalimi të UÇK-së në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
“Shumë viktima u arrestuan në shtëpitë e tyre ose në rrugë. Shumë prej tyre u rrahën, u keqtrajtuan dhe iu konfiskuan sendet personale. Provat tregojnë se ata u ndaluan si ‘bashkëpunëtorë’ ose ‘spiunë’. Shumë prej të ndaluarve ishin të lidhur me zinxhirë. Ndër ta kishte mësues, bujq, si edhe në disa raste gra dhe fëmijë. Nuk ka prova që ndonjëri prej tyre të ketë qenë i përfshirë në veprimtari kriminale apo në aktivitete që mund të përbënin kërcënim për UÇK-në. Viktimat u mbajtën në ndalim mbi bazën e thashethemeve.”
Sipas trupit gjykues, në qendrat e ndalimit u krijuan kushte çnjerëzore dhe të ndaluarit iu nënshtruan keqtrajtimeve fizike e psikologjike.
“Shumë anëtarë të UÇK-së i keqtrajtuan fizikisht personat e ndaluar. Në disa raste, të ndaluarit detyroheshin të rrihnin njëri-tjetrin. Në shumë qendra ndalimi atyre u thuhej se do të vriteshin.”
Gjykata tha gjithashtu se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të provojë krimet e luftës të trajtimit mizor dhe torturës, ndërsa konstatoi se ndërmjet prillit 1998 dhe qershorit 1999 pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Një nga pikat kyçe të vendimit ishte edhe pranimi i akuzës për ndërmarrje të përbashkët kriminale. Sipas gjykatës, katër të akuzuarit vepruan së bashku për të realizuar një qëllim të përbashkët.
“Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit kishin të njëjtin qëndrim se elementë kyç të strategjisë për realizimin e qëllimeve ishin shënjestrimi, eliminimi ose neutralizimi i personave që konsideroheshin pengesë.”
Për secilin prej të akuzuarve, gjykata paraqiti edhe përgjegjësinë individuale.
Për Hashim Thaçin, Smith tha se ai ishte “anëtar kyç” në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar apo ndëshkuar.
Për Kadri Veselin, gjykata tha se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e këtij plani, kontribuoi në identifikimin dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë dhe “mori pjesë dhe inkurajoi krimet”.
Për Jakup Krasniqin, trupi gjykues tha se ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe nuk ndërhyri për të parandaluar krimet, megjithëse kishte dijeni për to.
Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata tha se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve, kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmori masa për t’i parandaluar.
Në fund të leximit të vendimit, gjykata shpalli dënimet: 25 vite burg për Hashim Thaçin, 25 vite për Jakup Krasniqin, 18 vite për Kadri Veselin dhe 13 vite për Rexhep Selimin, ndërsa të katërt u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Haga dënon Rexhep Selimin me 13 vjet burg, shpallet fajtor për krime lufte (VIDEO)
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dënuar Rexhep Selimin me 13 vjet burgim, pasi e shpallën fajtor për krime lufte.
Trupi gjykues arriti në përfundimin se Prokuroria e Specializuar provoi përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësinë penale të Selimit për një pjesë të akuzave për krime lufte.
Njëkohësisht, gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Selimi ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020 dhe gjatë gjithë procesit është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Gjyqi në Hagë, Kadri Veseli dënohet me 18 vite burg (VIDEO)
Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Trupi gjykues e shpalli Veselin fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Haga shpall fajtor Jakup Krasniqin për krime lufte, dënohet me 25 vjet burgim! Shpallet i pafajshëm për krime kundër njerëzimit
Gjykata në Hagë shpalli fajtor Jakup Krasniqin për disa nga akuzat për krime lufte, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Ai u dënua me 25 vjet burg. Gjatë shpalljes së vendimit, trupi gjykues deklaroi se Krasniqi është fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm të 385 personave, trajtim mizor si krim lufte ndaj 49 personave, torturë si krim lufte ndaj 49 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave.
Në vijim, kryesuesi i trupit gjykues i tha Krasniqit se shpallet i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Gjykata Speciale dënon me 25 vite burg Hashim Thaçin, fajtor për krime lufte (VIDEO)
Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar me 25 vite burg ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke e shpallur fajtor për krime lufte, por të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
“Thaçi, në emër të popullit të Kosovës, ju shpall fajtor për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, si dhe trajtimin mizor të 385 personave, torturën si krim lufte ndaj 303 personave dhe vrasjen e paligjshme. Ju shpall të pafajshëm për një numër incidentesh që nuk u provuan. Ju shpall të pafajshëm për krime kundër njerëzimit”, tha Gjykata.
Haga: Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shpallen përgjegjës për krime lufte
Gjykata në Hagë ka konstatuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale për disa prej akuzave për krime lufte.
Gjatë leximit të aktgjykimit, trupi gjykues shpalli se katër ish-krerët e UÇK-së janë penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Gjyqi ndaj UÇK/ Gjykata Speciale: Krasniqi, anëtar kyç në formulimin e planit kriminal! Inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve
Gjykata në Hagë tha se Jakup Krasniqi ishte një nga personat që ndihmoi në hartimin dhe zbatimin e asaj që e cilëson qëllim të përbashkët kriminal.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Krasniqi përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe për zbatimin e saj dhe, megjithëse kishte dijeni për krimet që po kryheshin, nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar ose ndëshkuar.
Gjykata tha gjithashtu se ai inkurajoi kryerjen e krimeve përmes komunikatave dhe deklaratave publike dhe se, së bashku me tre të akuzuarit e tjerë, ishte pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
“Krasniqi ishte anëtar kyç në formulimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve. Ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për formulimin e kësaj politike. Përmes publikimit të komunikatave dhe fjalimeve publike, ai inkurajoi kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve, përfshirë përmes luftës speciale të UÇK-së. Ai përhapi dhe promovoi qëllimin e përbashkët kriminal. Emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe krijoi organe speciale me detyrën e zbatimit të politikës kundër kundërshtarëve. Në atë kohë kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, por nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin apo ndëshkimin e tyre. Ai i mohoi këto krime dhe e portretizoi UÇK-në si një organizatë që promovonte të drejtën ndërkombëtare. Trupi gjykues konstaton se të katër të akuzuarit kishin një qëllim të përbashkët kriminal dhe synuan kryerjen e krimeve për realizimin e këtij qëllimi. Për këtë arsye, të katërt mbajnë përgjegjësi penale në kuadër të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, thotë gjyqtari.
Gjykata Speciale: Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në krime! Kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërhyri për t’i parandaluar
Trupi gjykues konstatoi se Rexhep Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez.
“Rexhep Selimi ishte themelues i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit. Ai kishte rol në shpërndarjen e komunikatave. Pozita e tij zyrtare si inspektor i përgjithshëm i dha më pak pushtet krahasuar me të tjerët. Selimi luajti rol thelbësor në zonat operative, por ky rol nuk ishte kriminal. Megjithatë, ai i inspektoi shpesh këto zona dhe mori raporte të shpeshta për persona të ndryshëm. Për shkak të përfshirjes së tij në sulmet e paraluftës, ai ishte plotësisht në dijeni se kjo ishte politika e UÇK-së. Ai emëroi persona besnikë në pozita kyçe. Shumë prej tyre kryenin krime ose ishin në dijeni të qëllimit të përbashkët. Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në krime, në mënyra të ndryshme që përshkruhen në aktgjykim. Ai mori pjesë në arrestimin e 13 parlamentarëve në Qirez dhe ishte i pranishëm në disa vende krimesh të paraqitura në aktakuzë.
Selimi inkurajoi kryerjen e krimeve përmes pjesëmarrjes në luftë, mosmarrjes së veprimeve për parandalimin ose ndëshkimin e krimeve kur merrte raporte, si dhe krijimit të precedentit se krimet ishin të pranueshme, përmes pjesëmarrjes personale në to. Ai kishte dijeni për krimet ndaj kundërshtarëve, ndalimin e paligjshëm dhe keqtrajtimin e tyre. Kur u bë ministër i Rendit, ai ndërhyri për të siguruar lirimin e katër anëtarëve të UÇK-së, të cilët ishin ndaluar për krijimin e një qendre të paligjshme ndalimi. Ai nuk siguroi që UÇK-ja të vepronte në përputhje me detyrimet e saj sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare. Përkundrazi, toleroi shkelje të rënda të kësaj të drejte”, tha gjyqtari.
Gjykata Speciale: Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve
Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi dha një kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Sipas gjykatësit Charles Smith, Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e këtij qëllimi.
Ai dhe të akuzuarit e tjerë emëruan persona besnikë në pozita të ndryshme për të ruajtur kontrollin brenda UÇK-së gjatë gjithë periudhës përkatëse, shtoi Smith. Sipas tij, shumë prej këtyre personave kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre.
“Thaçi dha kontribut të qenësishëm për zbatimin e këtij plani. Ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e tij. Shumë prej personave besnikë që u emëruan kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së krimeve në përputhje me qëllimin e përbashkët. Thaçi inkurajoi kryerjen e krimeve përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike, si dhe përdorimit të luftës speciale. Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Thaçi mori pjesë personalisht në krime, përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve.
Më 11 qershor 1998, Behajdin Hallaçi shkoi në shtabin e UÇK-së. Thaçi dhe Veseli e morën Behajdin Hallaçin në pranga. Ai nuk u pa më kurrë dhe trupi gjykues është i bindur se ai u vra. Për të fshehur përgjegjësinë, personat në fjalë ndërmorën masa të ndryshme. Pas luftës, Thaçi dhe Veseli u përpoqën t’i jepnin ryshfet familjes së tij, me qëllim që të hiqnin dorë nga kërkimi i së vërtetës. Edhe Shaban Dahala u vra. Trupi gjykues konstatoi se Thaçi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, sidomos për keqtrajtimin dhe vrasjen. Ai nuk ndërmori asnjë hap për ndëshkimin apo parandalimin e këtyre krimeve. Ai mori pjesë në krime dhe i inkurajoi ato, si dhe ngriti në detyrë personat e përfshirë në këto krime”, tha Gjyqtari.
Gjykata në Hagë ka paraqitur gjetjet për rolin e Kadri Veselit në çështje, duke konstatuar se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli kontribuoi në identifikimin, sigurimin e informacioneve dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë. Gjykata tha gjithashtu se ai emëroi persona besnikë për zbatimin e planit, ndërsa shumë prej tyre kryen krime ose ishin në dijeni të tyre.
“Veseli dha kontribut në qëllimin e përbashkët kriminal. Ai kontribuoi në identifikimin, sigurimin e informacionit dhe neutralizimin e personave që konsideroheshin të dyshimtë. Veseli ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Ai emëroi persona besnikë për të siguruar zbatimin efektiv të planit. Shumë prej këtyre personave kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre. Veseli mori pjesë dhe inkurajoi krimet” tha Smith.
Foto: Hashim Thaçi me nënën
Nëna e Hashim Thaçit, Hyra nuk është në dijeni se sot do të merret vendimi nga Gjykata në Hagë.
Nëse do të lirohet katërshja e UÇK-së do t’i tregojnë e nëse jo, nuk do ia bëjnë të ditur për shkak të gjendjes shëndetësore. Kështu bën të ditur një i afërm i Thaçit, shkruan KosovaPress.
“Nuk e di. Nuk i kanë treguar. E nëse na gëzon Zoti, atëherë do ta lajmërojmë. E nëse dënohet nuk mundemi t’i tregojmë gjë”, tha kushëriri.
Ai tha se gjatë këtyre viteve kanë ndjerë mungesë të madhe të tij dhe se presin të lirohen e të vijnë në shtëpi.
“Po presim që sa më parë të lirohet, na ka munguar shumë Hashimi, si prind, si për shoqëri, si për krejt Kosovën”, tha ai.