Altin Krasniqi është bërë pjesë e protestës së sotme në Drenas, për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët.
Përpara të pranishmëve, Krasniqi tha se aktgjykimi i Hagës prek një kapitull të historisë sonë.
Altini, djali i Jakup Krasniqit, tha po ashtu se UÇK-ja bëri luftë të drejtë, prandaj është e nevojshme të lihen anash dallimet politike.
“Aktgjykimi në Hagë nuk është çështje që prek individ, ai prek një kapitull të historisë sonë. Një histori të shkruar me gjak, sakrificën e mijëra njerëzve që u vranë, u masakruan, u dhunuan dhe u dëbuan nga regjimi dhe forcat serbe. Prandaj, sot ne duhet të ngrihemi përsëri në këmbë, jo për hakmarrje, por për të mbrojtur të vërtetën, dinjitetin e historisë sonë. Ata që dikur na mbrojtën ne, sot kanë nevojë që ne të mos heshtim duke mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së ne nuk po mbrojmë vetëm të kaluarën, po mbrojmë edhe të ardhmen e shtetit tonë, kujtesën e brezave dhe të drejtën tonë për të treguar historinë ashtu siç është. UÇK bëri luftë të drejtë, sot duhet të lëmë mënjanë të gjitha dallimet politike. Të gjitha partitë duhet të bashkohen për një çështje që është më e madhe se secila parti, lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës, rroftë Kosova, rroftë UÇK-ja”, tha Krasniqi.