Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit edhe pas mbi një viti nuk ka sjellë ende vendim për pagesat e Komunës së Çairit ndaj kafiterisë “1Sh”, që është në pronësi të zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht se Antikorrupsioni në korrik 2025 njoftoi se kanë hapur lëndë për këtë rast, ky institucion me muaj po e zvarrit këtë rast duke mos sjellë vendim. Nga KSHPK thonë se ende po vijojnë ‘hetimet’.
“Procedura për këtë rast është në vijim. Pas konstatimit të gjendjes faktike në rastin konkret, do të merret vendim në seancë publike të KShPK-së”, thanë nga Antikorrupsioni.
Kujtojmë që Portalb.mk në qershor 2025 zbuloi se mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të Kaltrina Zekolli Shaqirit, zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet Mexhitit, kreut aktual të komunës dhe bashkëkryetarit të VLEN-i.
Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy.
Sipas analizës së Portalbit, afër 9 mijë euro i janë lëshuar kësaj kafiterie që kur Zekolli-Shaqiri është zëvendësministre, për më pak se 1 vit.
Fqinjët e intervistuar nga Portalbi thanë se kafiteria më së shpeshti frekuentohet nga aktivistë të Lëvizjes Demokratike.
Komuna e Çairit nuk i komentoi transaksionet e vjetra, tha se në vitin 2025 aty janë ushqyer sportistët e Çairit kur kanë pasur gara, gjithashtu nuk u përgjigj se pse vetëm ky lokal ndër vite kryen këtë ‘shërbim’ për ata, pa ju dhënë mundësi bizneseve tjera.
Zëvendësministrja theksoi se është vetëm pronare dhe se nuk merrej me pjesën e pagesave. Për këtë rast më pas reaguan edhe partitë politike.