Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare diplomatike me qëllim nënshkrimin e një marrëveshjeje të gjerë ndërqeveritare (G2G).
Ai ka përfunduar takimin me ministrin Hoxha gjatë të cilit firmos Marrëveshjen për Bashkëpunim të Përgjithshëm, ndërsa tani vijon takimi me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi dhe më vonë me kryeministrin Rama.
Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme izraelite, theksohet gjithashtu edhe marrëdhënia e mirë mes dy vendeve, duke cituar edhe mbështetjen e Tiranës zyrtare ndaj Izraelit kundër Iranit dhe Hamasit.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta. Tirana ka shprehur mbështetje për Izraelin, duke e shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) organizatë terroriste dhe duke dënuar sulmet terroriste të Hamasit”, përfundon artikulli.
Hoxha takon ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar, nënshkruajnë Marrëveshjen për Bashkëpunim të Përgjithshëm
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti paraditen e sotme në një vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij, ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar.
Në fokus të takimit ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe shkëmbimi i pikëpamjeve mbi sfidat e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.
Hoxha theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-Izrael mbështeten në një histori të veçantë miqësie, respekti dhe solidariteti, të cilat përbëjnë një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.
Gjatë vizitës, ministrat nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.
Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi në fushën e turizmit ka njohur zhvillime shumë pozitive vitet e fundit, duke u shndërruar në një prej sektorëve më dinamikë dhe premtues të marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë takimit, Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Izraelit, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.
Vizita shërbeu gjithashtu si një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje. Në këtë kuadër, Sa’ar vizitoi ekspozitën arkivore që dokumenton traditën e njohur shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull krenarie në historinë e vendit tonë. Dy ministrat vlerësuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe të bashkëpunimit në të gjitha nivelet, përmes koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve, në funksion të forcimit të mëtejshëm të partneritetit Shqipëri-Izrael.
P.J/Shqiptarja.com