Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka ngritur shqetësimin për agjendën legjislative, duke theksuar se gjatë këtij viti pritet të miratohen mbi 60 ligje.
Tahiri ka vlerësuar se grumbullimi i një numri kaq të madh të ligjeve paraqet problem, duke ngritur pikëpyetje për cilësinë e tyre.
“Agjenda legjislative është problemi thelbësor që e kemi adresuar. Është një agjendë me një numër të madh ligjesh. Këtë vit duhet të kalojnë mbi 60 ligje. Si ka mundësi që 60 ligje të prodhojnë cilësi?”, ka thënë Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se në Kryesinë e Kuvendit ka ngritur edhe kërkesën për funksionalizimin e rolit të Kuvendit në kuadër të strategjisë shtetërore për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Sipas Tahirit, Kuvendi ka përgjegjësi që të angazhohet në këtë proces, duke pasur parasysh zotimin shtetëror për të ndihmuar mbrojtjen e çlirimtarëve.
“Është detyrë primare e Kuvendit, sepse Kuvendi ka një zotim shtetëror për të ndihmuar mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë. Kjo duhet të trajtohet me kujdes, me qëllim që të ketë efekte pozitive”, është shprehur ai.
I pyetur për reagimet e Bashkimit Evropian dhe të përfaqësueses së lartë të BE-së, Marta Kos, lidhur me ligjin për Dhomat e Specializuara, Tahiri ka thënë se bëhet fjalë për reagime që vijnë në vazhdimësi.
Ai ka theksuar se Kuvendi e ka miratuar ligjin dhe se institucionet e Kosovës do të angazhohen për të bërë gjithçka që është e mundur në mbrojtje të çlirimtarëve në Hagë.