Në fushën e sigurisë ushqimore, Shqipëria nuk zbaton të njëjtat rregulla si Bashkimi Evropian (BE), as për llojet e pesticideve që përdoren në të mbjella dhe as për sasinë e mbetjeve të pesticideve që lejohen në fruta dhe perime.
Në raportin përfundimtar të auditimit të KLSH-së citohet se Ministria e Bujqësisë, gjatë viteve 2022–2024, periudhë kur drejtohej nga Anila Denaj, ka lejuar tregtimin e pesticideve të ndaluara nga BE-ja.
“Nga verifikimi i Listës nr. 1 të produkteve për mbrojtjen e bimëve (PMB), të lejuara për përdorim, në raport me listën e PMB-ve të BE-së, ka rezultuar se gjatë viteve 2022–2024 kanë qenë në qarkullim 10 (dhjetë) PMB të ndaluara në BE”.
Afatet për nxjerrjen jashtë qarkullimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve janë zgjatur përtej afateve të përcaktuara nga BE-ja.
Fermeri nuk është gjithmonë fajtori për nivelin e lartë të mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime. Abuzimi me spërkatjen me lëndë kimike nis që në dyert e Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas udhëzimit nr. 11, datë 10.05.2021, “Për nivelin maksimal të mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime”, Shqipëria lejon nivele më të larta të mbetjeve të pesticideve sesa BE-ja.
“Në produktet bujqësore të destinuara për eksport janë përcaktuar nivele më të larta të mbetjeve të pesticideve krahasuar me vlerat e lejuara në BE. Zgjatja e fushëveprimit të këtij akti rregullator për një periudhë relativisht të gjatë, nga viti 2021 deri në vitin 2025, ka legjitimuar mbajtjen në fuqi të normave të larta të mbetjeve të pesticideve në këto produkte, duke i përjashtuar ato automatikisht nga eksporti në vendet e BE-së”.
Ndërsa BE-ja vendos kufij të rreptë për nivelin e mbetjeve të kimikateve në ushqime, Shqipëria ka miratuar nivele të lejuara të mbetjeve të pesticideve deri në 100 herë më të larta se ato evropiane.
Sipas KLSH-së, për mbetjet e pesticidit Tebuconazole në luleshtrydhe, kufiri i lejuar në Shqipëri është 75 herë më i lartë se ai evropian. Ndërsa për Phosmet në mandarina, diferenca arrin deri në 50 herë. Për kimikatin Imidacloprid në ullinj, norma e lejuar është 100 herë më e lartë se kufiri i BE-së.
Nga ana tjetër, niveli i lejuar i kimikatit Propiconazole në Shqipëri është 30 herë më i lartë, ndërsa preparati bujqësor Oxamyl lejohet të jetë i pranishëm në fruta dhe perime në nivele 10 herë më të larta se kufiri evropian.
“Nga auditimi ka rezultuar se nivele të mbetjeve të pesticideve mbi normat e lejuara në BE janë përcaktuar për produkte bujqësore si luleshtrydhet, mandarinat, shalqiri, kastraveci, patatet dhe lulelakra, duke prekur drejtpërdrejt interesat e fermerëve vendas”.
Ligje dhe akte të tilla, që janë larg standardeve evropiane të sigurisë ushqimore, sjellin pasoja negative për fermerët shqiptarë. Produktet e kontaminuara nuk kalojnë kontrollet doganore për eksport, pasi BE-ja i konsideron ato produkte që mund të vënë në rrezik shëndetin e konsumatorëve.
Në përfundim të raportit, KLSH-ja i kërkoi Ministrisë së Bujqësisë përafrimin e legjislacionit për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e bimëve me atë të BE-së, duke i lënë afat deri më 30 shtator.