Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe ia ka përcjellë atë presidentes, Justina Shiroka Pula, për dekretim.
Këtë për televizionin Dukagjini e ka konfirmuar këshilltari i saj, Glauk Tahiri.
“Ligji është miratuar në seancën plenare të Kuvendit më 6 tetor 2026 dhe i është përcjellë Presidentes në mbështetje të nenit 80, paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Sipas Kushtetutës, tani Presidentja ka në dispozicion 8 ditë afat për ta dekretuar atë para se i njëjti të hyjë në fuqi.
Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar që ligji për kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara të procedohet te presidentja për dekretim, duke shprehur besimin se ajo do ta dekretojë.
Hamza tha se, pavarësisht rikthimit të normalitetit institucional, Kosova përballet me sfida që kërkojnë pjekuri politike dhe shtetërore, veçanërisht lidhur me proceset gjyqësore në Hagë.
Ai theksoi se rezoluta për këtë çështje është miratuar me 99 vota, ndërsa ligji me 88 vota të deputetëve.
“Kosova nuk ka deleguar në sovranitetin e vet te Dhomat e Specializuara dhe askujt tjetër”, deklaroi Hamza, duke shtuar se mbrojtja e UÇK-së është përgjegjësi ndaj brezave të rinj.
Hamza njoftoi gjithashtu se, pas diskutimeve me kryeministrin Albin Kurti, është formuar Grupi Punues për strategjinë shtetërore.
“Na duhet strategji e qartë me afate konkrete”, përfundoi ai.