Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar që ligji për kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara të procedohet te presidentja për dekretim, duke shprehur besimin se ajo do ta dekretojë.
Hamza tha se, pavarësisht rikthimit të normalitetit institucional, Kosova përballet me sfida që kërkojnë pjekuri politike dhe shtetërore, veçanërisht lidhur me proceset gjyqësore në Hagë.
Ai theksoi se rezoluta për këtë çështje është miratuar me 99 vota, ndërsa ligji me 88 vota të deputetëve.
“Kosova nuk ka deleguar në sovranitetin e vet te Dhomat e Specializuara dhe askujt tjetër”, deklaroi Hamza, duke shtuar se mbrojtja e UÇK-së është përgjegjësi ndaj brezave të rinj.
Hamza njoftoi gjithashtu se, pas diskutimeve me kryeministrin Albin Kurti, është formuar Grupi Punues për strategjinë shtetërore.
“Na duhet strategji e qartë me afate konkrete”, përfundoi ai.
Ai tha se miratimi i ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara u bë për garantimin e drejtësisë, ndërsa tha se Kuvendi e ka të drejtën e kufizimit të juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
“E kemi një rezolutë, ligj të miratuar që rikthen në binarë mandatin e Dhomave të Specializuara të cilat kanë dalë nga mandati që kuvendi i Kosovës ia kishte besuar e dhënë para më shumë se një dekade. Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer, ligjin e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çfarëdo pale. Kosova nuk ka deleguar sovranitetin e vet as Dhomave të Specializuara as një trupi gjykues dhe askujt tjetër. Ky Kuvend e kanë të drejtën e plotë të hartojnë e miratojnë çfarëdo ligji që e konsiderojnë të rëndësishëm për të mbrojtur luftën tonë çlirimtare”.
Në këtë kontekst, Hamza thotë se nëse dikush shqetësohet, duhet të shqetësohet për padrejtësitë në Hagë dhe jo për nismat e Kuvendit të Kosovës.
“Ata duhet t’i marrin seriozisht shkeljen e të drejtave të njeriut atje, të cilat janë evidentuar edhe nga organizatat që monitorojnë të drejtat e njeriut. Sa i përket ligjit, edhe vetë Dhomat e Specializuara e Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të kufizuar juridiksionin e Dhomave e Specializuara përmes ligjit dhe ky Kuvend si institucion sovran tashmë e ka bërë këtë. Ndërhyrjet dhe presioni ndaj ushtrimit të mandatit të Kuvendit janë të papranueshme”.
Hamza e potencoi se sot është dita e fundit e afatit ligjor për ta proceduar për dekretim te Presidentja Ligjin për Specialen.
“Besoj se Presidentja do ta dekretojë pa vonesa”.
Kryetari i PDK’së tha se tash duhet përgjegjësi më e gjerë politike dhe kombëtare dhe që askush të mos qëndrojë indiferentë ndaj çështjes në Hagë.
“Është përgjegjësi për ata breza që trashëgojnë lirinë. Na takon të gjithëve, pa dallime partiake”.