Njohës të fushës së sigurisë, kanë mirëpritur paralajmërimet për nisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që “Kampi Bondsteel” të shndërrohet si bazë e përhershme amerikane në Kosovë.
Një paralajmërim për nisje të bisedimeve ka bërë të ditur në Tëvë1, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Eksperti në fushën e sigurisë, Fatmir Qollaku ka thënë se kjo një gjë e tillë, është fillimi i legjitimitetit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe ShBA-së në fushën e sigurisë.
Qollaku në emisionin “InfoNata” në Tëvë1 ka thënë se me këtë bashkëpunim do të vendosej baza më e madhe ushtarake e ShBA-së në Ballakan, që do të ishte një kundërpërgjigje edhe për Serbinë, e cila po armatoset nga Rusia e Kina.
“E marrë si inkurajim më i madh deri më tani i bërë publik. Një mbështetje konsistente e ShBA-së për Kosovën. Ky është një fillim i legjitimit të bashkëpunimit bilateral me ShBA-së dhe Kosovës në fushën e sigurisë. ShBA këtu është unilaterale në raport me anëtar tjerë të NATO-së, në raport me Kosovën në kuptimin e këtij bashkëpunimi për të shndërruar në bazë të përhershme, në bazë të fortë Bondsteel, bazën më të madhe në Ballkan, që i bije si përgjigjeje ndaj Serbisë. ShBA po do me metë këtu”, ka thënë Qollaku.
Edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, e ka vlerësuar këtë iniciativë si pozitive.
Ibishi ka thënë se kjo ide nuk është e re dhe se diskutimet për një bashkëpunim të tillë kanë nisur më herët.
“Kampi Bondsteel është baza më e madhe amerikane e NATO-s. Kjo iniciativë është shumë e mirë dhe ka nisur tash e një kohë. Edhe më herët kishte iniciativa që të bëhej bazë bilaterale”, ka deklaruar Ibishi.
Ai ka thënë se kjo do të ndikonte në rritjen edhe forcimin e kapacitete të FSK-së. Për Ibishin ky bashkëpunim me ShBA-në ka edhe kosto, por ja vlen.
Deklarata e tij vjen pas deklarimit të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin “InfoNata” në Tëvë1, të enjten, se Kosova dhe SHBA-ja pritet të nisin së shpejti bisedimet për mundësinë që Kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme amerikane.