Marrëveshjet e ekstradimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor synojnë të parandalojnë përdorimin e shtetësisë së dyfishtë dhe arratisjen në vendet fqinje për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Megjithatë, praktika tregon se këto mekanizma jo gjithmonë arrijnë qëllimin për të cilin janë krijuar.
Pavarësisht marrëveshjeve dypalëshe që kanë lidhur shumica e vendeve të rajonit, një numër personash të kërkuar nga drejtësia kanë arritur të shmangin gjykimin ose vuajtjen e dënimeve, duke përfituar nga kufizimet ligjore, shtetësia e dyfishtë dhe mungesa e bashkëpunimit efektiv mes autoriteteve.
Një nga rastet më të spikatura është ai i Svetozar Maroviqit, ish-president i Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi. Ai është i lirë që nga 10 tetori, pasi dënimi i shqiptuar në Mal të Zi për korrupsion ka parashkruar.
Maroviqi ishte larguar drejt Serbisë pas vendimit gjyqësor të vitit 2016. Për vite me radhë, Beogradi nuk pranoi ta ekstradonte, ndonëse me Podgoricën kishte marrëveshje për dorëzimin e shtetasve të dyshuar ose të dënuar për krim të organizuar, korrupsion dhe vepra të tjera të rënda penale.
Vesna Rakiq Vodineliq, profesoreshë e pensionuar e së Drejtës në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se lidhjet politike mund të ndikojnë ndjeshëm në vendimet për refuzimin e kërkesave të ekstradimit nga shtetet fqinje. Sipas saj, Maroviqi duhej t’i ishte dorëzuar autoriteteve malazeze.
Përtej rasteve të personave që u shmangen procedurave penale në vendet fqinje, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar edhe në vende strehimi për të kërkuar nga vende të tjera, nga Rumania deri në Tajlandë.
## Serbia, strehë për të dënuar për krime lufte dhe persona të shpallur azilkërkues politikë
Marrëveshjet dypalëshe për ekstradim nisën të nënshkruheshin kryesisht pas vitit 2010. Ato parashikojnë mundësinë e dorëzimit të shtetasve për vepra të caktuara, veçanërisht në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Megjithatë, këto marrëveshje kanë kufizime. Ato nuk zbatohen për veprat penale të kryera para hyrjes së tyre në fuqi dhe, në rastin e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, nuk mbulojnë as krimet e luftës.
Një shembull është Novak Gjukiqi, ish-gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i cili u largua drejt Serbisë në vitin 2014, pak para shpalljes së vendimit nga gjykata në Bosnje e Hercegovinë. Pavarësisht fletarrestimit ndërkombëtar, ai vazhdon të jetojë i lirë në Beograd.
Gjukiqi u dënua në Sarajevë me 20 vjet burgim për krime lufte, lidhur me vrasjen e 71 civilëve në zonën e Kapijës, në Tuzëll.
Serbia nuk pranon ta ekstradojë, duke u mbështetur në faktin se ai ka edhe shtetësi serbe dhe se vendi nuk i dorëzon shtetasit e vet.
Në rrethana të ngjashme ndodhen edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë dhe Policisë së Republikës Sërpska, Tomisllav Kovaç, Mirko Vruçiniq dhe Dushko Kornjaça. Ata janë ndër personat që kërkohen nga autoritetet e Bosnje e Hercegovinës për krime lufte, por që vazhdojnë të jetojnë në Serbi.
Në këtë listë përfshihet edhe Milan Radoiçiq, i cili, tre vjet pas marrjes së përgjegjësisë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.
Kosova ka lëshuar pesë fletarrestime ndaj tij gjatë viteve të fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar për lidhje me krimin ndërkombëtar. Megjithatë, më 9 tetor, Radoiçiq mori pjesë në një tubim zgjedhor të partisë në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.
Radoiçiqi nuk është i vetmi person i kërkuar nga drejtësia kosovare që jeton në Serbi. Atje ndodhen edhe persona të tjerë ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për vepra të ndryshme penale, përfshirë krime lufte.
Disa prej tyre vazhdojnë të jenë aktivë në jetën publike, duke promovuar libra, marrë pjesë në aktivitete politike dhe u paraqitur në media.
Pavarësisht fletarrestimeve të lëshuara nga Prishtina, Serbia nuk pranon t’i ekstradojë. Për pasojë, shumë prej tyre përballen me procedura gjyqësore në mungesë në Kosovë.
Një nga pengesat kryesore është fakti se Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka marrëveshje ekstradimi me të. Për çështjet e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve është përgjegjës Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Gjatë dekadës së fundit, Serbia u ka dhënë shtetësi, azil ose forma të tjera mbrojtjeje edhe shtetasve të Rumanisë, Bullgarisë, Tajlandës dhe vendeve të tjera, të cilët kërkoheshin nga autoritetet e vendeve të tyre.
Një prej tyre është biznesmeni bullgar Cvetan Vasilev, i akuzuar në vendin e tij për përfshirje në 144 raste të përvetësimit të parave. Ai u arratis në Serbi në vitin 2014 dhe, shtatë vjet më vonë, përfitoi azil politik.
Azil politik në Serbi mori edhe biznesmeni dhe ish-deputeti rumun Sebastian Gica, i cili u largua nga vendi i tij në vitin 2016, pasi ndaj tij nisën disa hetime, përfshirë ato për dyshime për korrupsion.
Autoritetet serbe e justifikuan vendimin për dhënien e azilit me argumentin se Gica mund të përndiqej për shkak të bindjeve të tij politike.
Në vitin 2019, shtetësinë serbe e fitoi edhe Jingluk Shinavatra, ish-kryeministre e Tajlandës, e dënuar në vendin e saj me pesë vjet burgim për korrupsion.
Duke komentuar raste të tilla, Vesna Rakiq Vodineliq vlerësoi se pasuria e personave në fjalë mund të ketë ndikuar në vendimet për ekstradimin e tyre. “Bëhet fjalë për njerëz të pasur, prandaj më duket se korrupsioni ka luajtur rol në vendimet për ekstradimin e shtetasve të këtyre vendeve”, deklaroi ajo për Radion Evropa e Lirë.
Një rast tjetër është ai i shtetasit kinez Cui Guanghai, për ekstradimin e të cilit Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur kërkesë, nën dyshimet për spiunazh dhe kontrabandë të teknologjisë ushtarake.
Guanghai u arrestua në Beograd në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar me kërkesë të SHBA-së, por në vitin 2025 u zhduk nga arresti shtëpiak.
Në atë periudhë, drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), Kash Patel, deklaroi para Kongresit amerikan se Serbia po i dorëzonte Kinës shtetas kinezë të akuzuar, në vend që t’i ekstradonte në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2022, autoritetet serbe arrestuan edhe Andrij Naumovin, ish-zyrtar i inteligjencës ukrainase. Beogradi refuzoi kërkesën e Ukrainës për ekstradimin e tij, e cila lidhej me një hetim për shpërdorim të pozitës zyrtare.
Naumovi u gjykua në Serbi dhe, në vitin 2025, u dënua me një vit burgim për një vepër tjetër penale, atë të pastrimit të parave.
## Vëllezërit Mamiq dhe personat e kërkuar nga Kroacia që jetojnë në Bosnje e Hercegovinë
Ndër personat më të njohur që i janë shmangur drejtësisë kroate dhe kanë gjetur strehim në Bosnje e Hercegovinë është Zdravko Mamiq, ish-nënkryetar ekzekutiv i klubit të futbollit Dinamo Zagreb.
Në vitin 2018, Mamiqi u shpall fajtor për përvetësim të parave të klubit dhe u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim. Para shpalljes së vendimit, ai ishte larguar drejt Bosnje e Hercegovinës, shtetësinë e së cilës e kishte fituar më herët përmes prejardhjes familjare.
Autoritetet e Bosnje e Hercegovinës refuzuan kërkesën e Kroacisë për ekstradimin e tij.
Të njëjtën rrugë ndoqi edhe vëllai i tij, Zoran Mamiq, ish-futbollist dhe trajner, i dënuar në Kroaci me katër vjet e tetë muaj burgim për përvetësim të parave nga Dinamo Zagrebi.
Aktualisht, Zoran Mamiq punon në Klubin e Futbollit Sarajevo si këshilltar i pronarit të klubit.
Një tjetër person që u largua nga Kroacia drejt Bosnje e Hercegovinës është Mirosllav Kutle. Ai u arratis në vitin 2010, pasi ishte dënuar për tri vepra penale që lidhen me shpërdorimin e kompetencave në veprimtarinë ekonomike.
Kutle ka shtetësi të Bosnje e Hercegovinës për shkak të prejardhjes së tij dhe vazhdon të jetojë në këtë vend, ku ka krijuar një rrjet të gjerë biznesesh.
Ndërkohë, në fund të shtatorit, parashkroi edhe çështja e fundit për të cilën kërkohej nga drejtësia kroate.
Bëhet fjalë për Jozon Qurkoviqin, ish-drejtor i kompanisë “Salonit”, pranë Splitit, i cili u largua drejt Bosnje e Hercegovinës në vitin 2004, përpara ngritjes së aktakuzës për krim ekonomik dhe shpërdorim.
Për shkak të shtetësisë së dyfishtë, ai nuk është ekstraduar në Kroaci. Në vitin 2022, një gjykatë në Split e dënoi në mungesë me tre vjet burgim.
Lista e personave të kërkuar nga autoritetet kroate që kanë gjetur strehim në Bosnje e Hercegovinë përfshin edhe Branimir Gllavashin, i dënuar në vitin 2009 për krime ndaj civilëve serbë gjatë luftës në Osijek.
Gllavashi shfrytëzoi shtetësinë e dyfishtë për t’u larguar drejt Hercegovinës perëndimore para shpalljes së vendimit gjyqësor. Ai kaloi më shumë se pesë vjet në burgjet e Bosnje e Hercegovinës, pasi ky shtet mori përsipër ekzekutimin e dënimit.
Megjithatë, në vitin 2015, ai u lirua pasi Gjykata Kushtetuese e Kroacisë anuloi vendimin dënues dhe urdhëroi rigjykimin e çështjes.
Në vitin 2025, në qytetin e Prozorit, në jug të Bosnje e Hercegovinës, u arrestua shtetasi slloven Mlladen Samarxhija, në bazë të një fletarrestimi të Interpolit. Autoritetet sllovene e kërkonin, ndër të tjera, nën dyshimet se drejtonte një rrjet të kontrabandës së drogës.
Megjithatë, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës refuzoi kërkesën për ekstradimin e tij, pasi mes dy vendeve nuk ekziston një marrëveshje dypalëshe për këtë qëllim.
Pas këtij vendimi, Sllovenia ia kaloi zyrtarisht çështjen autoriteteve të Bosnje e Hercegovinës, ku rasti vazhdon të jetë në fazën e hetimeve.
## Kush ka gjetur strehim në Mal të Zi dhe Kosovë?
Një rast që ngre pikëpyetje për integritetin e institucioneve në Kosovë është ai i Radomir Llabanit, i cili i është shmangur vuajtjes së dënimit në Serbi që nga viti 2011 dhe, prej vitit 2018, ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Llaban është dënuar si pjesëtar i grupit të njohur si “mafia doganore”, i dyshuar për vepra penale që lidhen me ryshfetin. Emri i tij figuron në listën e personave të kërkuar nga Interpoli që nga viti 2014.
Prania e tij në një institucion të lartë të drejtësisë ka nxitur debate për integritetin e tij. Në vitin 2025, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi Llabanin si kërcënim për sigurinë kombëtare. Po atëherë, ministrja e Drejtësisë e kohës ngriti dyshime se ai mund të kishte bashkëpunuar me shërbimin inteligjent serb.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës i kishte deklaruar më herët Radios Evropa e Lirë se shkarkimi i një gjyqtari gjatë mandatit mund të bëhet vetëm në rast të kryerjes së një vepre të rëndë penale ose të neglizhencës së rëndë në ushtrimin e detyrës, me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të kësaj gjykate.
Në Mal të Zi, një nga rastet më të njohura është ai i Taksin Shinavatrës, ish-kryeministër i Tajlandës. Para arrestimit në vendin e tij në vitin 2023, ai kishte jetuar në mërgim për 15 vjet, pasi ishte dënuar për disa vepra penale.
Gjatë kësaj periudhe, në vitin 2009, Shinavatra mori shtetësinë malazeze si qytetar nderi, megjithëse ishte në kërkim nga Interpoli.
Ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, deklaroi në atë kohë se ekstradimi i Shinavatrës në Tajlandë nuk ishte i mundur, pasi Kushtetuta malazeze ndalonte dorëzimin e shtetasve të vendit te shtetet e tjera.
Pas kthimit në Tajlandë, Shinavatra vuajti dënimin dhe u lirua me kusht në maj të vitit 2026. Një muaj më vonë, në qershor, ai u fal.
Në tetor të vitit 2026, ish-kryeministri paraqiti kërkesë për amnisti, me synimin për t’i dhënë fund të gjitha procedurave ligjore dhe për të shfuqizuar akuzat ndaj tij.
Rastet në të gjithë rajonin tregojnë se ekzistenca e marrëveshjeve të ekstradimit nuk garanton domosdoshmërisht dorëzimin e personave të kërkuar nga drejtësia. Shtetësia e dyfishtë, kufizimet ligjore, mungesa e marrëveshjeve ndërmjet shteteve dhe vendimet politike vazhdojnë të krijojnë pengesa për bashkëpunimin gjyqësor.
Kur këto mekanizma nuk funksionojnë, procedurat penale mund të zvarriten deri në parashkrimin e çështjeve, ndërsa personat e kërkuar vazhdojnë të jetojnë të lirë jashtë juridiksionit të shtetit që i kërkon.