Pa fjalë, por përmes lëvizjes, gjesteve dhe gjuhës së veçantë të kukullave, “Shfaqja e Cirkut” sjell në skenë një univers artistik ku emocionet dhe rrëfimi përcillen përmes shprehjes plastike dhe interpretimit skenik. Një shfaqje që e kthen lëvizjen në gjuhë komunikimi me publikun, duke dëshmuar se arti mund të përcjellë mesazhe edhe përtej fjalës.
Pikërisht kjo shfaqje me regji nga Klajd Ymeri u vlerësua në skenën ndërkombëtare. Teatri Kombëtar i Kukullave përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Artit të Kukullave, FLUM, në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës, ku u nderua me çmimin për artikulimin më të mirë të kukullës.
“Shfaqja e Cirkut” është një nga premierat e këtij viti të Teatrit të Kukullave, që vijon rrugëtimin e saj në festivalet ndërkombëtare.
Ndërkohë, teatri po përgatit produksionin e radhës “Mbreti Luan”, një projekt që do të ngjisë në skenë 11 aktorë dhe që ndërthur teknika të ndryshme të kukullave anatomike me projeksione imersive, duke e shndërruar sallën në një mjedis safari.