Në deklaratën e tij para mediave, Taulant Balla pati një akuzë edhe për një prokuror, të cilit, pa i përmendur emrin, tha se ka liruar protestuesit që kanë shkaktuar trazira në ditët e fundit në Tiranë. Sipas Ballës, prokurori, është i lidhur me Partinë Demokratike. Shefi i grupit të PS bëri një koment edhe për kreun e ILD, Artur Metanin, duke u shprehur se “shpreson të jetë ende në detyrë.”
Bëhet fjalë për Arbër Berexhën që një ditë më parë urdhëroi lirimin e një grupi protestuesish duke i cilësuar arrestimet të paligjshme.
“Policia e Shtetit është institucioni që garanton sigurinë e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë, që kur del nga shtëpia. Policia po mbron institucionet. Sot duhet të mbështesim policinë për të garantuar sigurinë në çdo institucion dhe ndërkohë, ankesat që bëni janë në verifikim nga AMP dhe institucionet e drejtësisë. Ajo që bëri një prokuror i Tiranës i cili dihet për lidhje politike me anëtarë të grupit parlamentar të PD… Sot në Shqipëri i vetmi institucion që meriton gjithë respektin dhe mbështetjen është SPAK. Kur vihet zjarr mbi Gjykatën e Lartë apo Bankën e Shqipëri dhe një prokuror firmos mosdërgimin e çështjes në gjykatë, s’di nëse është ende në detyrë kreu i ILD, shpresoj të jetë”, tha Balla.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për deklaratat publike të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballës lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Tiranës për arrestimet gjatë protestave.
“Kur vihet zjarr mbi GJL apo BSH dhe një prokuror firmos mosdërgimin e çështjes në gjykatë, s’di nëse është ende në punë kreu i ILD”, tha më herët Balla në reagimin e tij, duke aluduar për lidhje të prokurorit me kryedemokratin Sali Berisha.
Në reagimin e saj, Shoqata thekson se aludimet për lidhje politike të prokurorit, pa fakte konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e magjistratëve dhe të zhvendosin debatin nga argumentet juridike te diskreditimi personal e profesional.
Sipas saj, prokurorët ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe vendimmarrja duhet të mbështetet në fakte e prova, pa presione apo ndikime politike. Shoqata nënvizon se kritika ndaj vendimeve të prokurorisë është e ligjshme, por thirrjet publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, mund të krijojnë presion mbi prokurorin.
Në deklaratë sqarohet gjithashtu se urdhrat për lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar në kundërshtim me ligjin nuk nënkuptojnë pushimin e çështjes penale. Referuar nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, Shoqata thekson se, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit përbën detyrim ligjor të prokurorit.
Në reagim theksohet po ashtu se çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike duhet t’u paraqitet organeve kompetente dhe të shqyrtohet mbi bazën e fakteve e procedurave ligjore, pa ndërhyrje politike. Në përfundim, Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë kritikën me përgjegjësi dhe të shmangin deklaratat që mund të cenojnë pavarësinë e magjistratëve dhe zbatimin e barabartë të ligjit.
Deklarata e Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë:
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin për deklaratat publike të deputetit Taulant Balla lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Prokurorisë së Tiranës për arrestimet gjatë protestave. Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës. Prokurorët janë magjistratë dhe gëzojnë pavarësi në ushtrimin e funksionit të tyre. Në përmbushjen e detyrës, ata u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet në faktet dhe provat e administruara, sipas kërkesave të ligjit, pa presione apo ndikime politike.
Në parim, çdo vendim i prokurorisë mund t’i nënshtrohet kritikës, përfshirë kritikën publike. Pavarësia e prokurorëve nuk përbën përjashtim nga llogaridhënia. Megjithatë, pretendimi për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete në mbështetje të tij, e zhvendos debatin nga arsyetimi juridik tek diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit. Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjet e tij të mëtejshme. Përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veçantë për të shmangur këtë lloj retorike në komunikimin publik. Duhet sqaruar për opinionin publik edhe se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm, kur konstatohen arrestime të kryera në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes. Këta urdhra kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale. Sipas nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit.
Çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike mund t’u paraqitet organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohet mbi fakte, sipas procedurës ligjore. Njëkohësisht, edhe organet që verifikojnë këto pretendime duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa presione politike. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët. Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo. Tiranë, më 22.10.2026