Autostrada Prishtinë–Gjilan duhej të përfundonte në vitin 2023. Rruga Prishtinë–Podujevë ishte premtuar të përfundonte edhe më herët, në vitin 2022.
Megjithatë, tetori i vitit 2026 i gjeti të dyja projektet ende të papërfunduara, pavarësisht zotimeve publike të kryeministrit Albin Kurti.
Këto premtime janë rikthyer në vëmendje nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila ka kërkuar përgjegjësi për vonesat.
Si nisi gjithçka?
Gazeta Nacionale raportoi më 20 dhe 21 tetor për deklaratat e Bajramit, përmes të cilave ajo rikujtoi afatet e shpallura nga Kurti.
Një nga rastet më të dokumentuara është autostrada Prishtinë–Gjilan, punimet për të cilën nisën në vitin 2018, gjatë Qeverisë Haradinaj.
Më 21 korrik 2023, Kurti kishte paralajmëruar hapjen e autostradës brenda atij viti, pas një vizite në vendpunishte.
“Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime!”, kishte shkruar Kurti në Facebook.
Premtimi nuk u realizua. Në tetor 2024, ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Liburn Aliu, pranoi publikisht se zotimi i kryeministrit kishte qenë gabim.
Në emisionin “Debat Plus”, Aliu deklaroi se Kurti ishte vënë në lajthitje nga raportimet për përqindjen e punimeve të përfunduara.
Ai përmendi gjithashtu problemet e reja që kishin dalë gjatë realizimit të projektit, pa dhënë ndonjë afat për përfundimin.
Ndërkohë, Bajrami rikujtoi më 20 tetor 2026 se nga zotimi i Kurtit kishin kaluar tre vjet, dy muaj e 29 ditë.
Ajo theksoi se postimi i kryeministrit kishte marrë 21 mijë pëlqime, 2,500 komente dhe mbi gjysmë milioni shikime.
“Jemi në tetor të vitit 2026, e autostrada ende nuk ka përfunduar!”, shkroi ajo.
Më 13 shtator 2026, Kurti kishte përsëritur zotimin për përfundimin e autostradës deri te Dheu i Bardhë, kësaj radhe pa një afat të ngjashëm.
Historia e rrugës Prishtinë–Podujevë është po ashtu e mbushur me afate të tejkaluara.
Më 2 nëntor 2021, gjatë një vizite me Shpejtim Bulliqin, Kurti premtoi përmbylljen e të gjitha punimeve brenda vitit 2022.
Ai kishte kritikuar zvarritjet e projektit dhe kishte thënë se rruga duhej të përfundonte për t’ua lehtësuar qytetarëve qarkullimin drejt kryeqytetit.
Mirëpo, as ky afat nuk u respektua. Në vitet pasuese u dhanë edhe zotime për përfundimin në fund të 2024-s dhe pranverën e 2025-s.
Në qershor 2026, zëvendësministri i Infrastrukturës, Zef Morina, paralajmëroi se rruga nuk pritej të përfundonte as atë vit.
Ai përmendi problemet me shpronësimet dhe numrin e kufizuar të ditëve efektive të punës si shkaqe të vonesave.
Por, Gjilani dhe Podujeva nuk janë projektet e vetme që kanë qenë pjesë e zotimeve të Kurtit.
Në mars 2024, kryeministri kishte premtuar përfundimin e katër projekteve: rrugëve për Podujevë, Mitrovicë, Gjilan dhe Pejë.
Ai kishte thënë se Qeveria po i korrigjonte problemet e trashëguara në projektim, kontraktim dhe menaxhim.
Në rrugën Prishtinë–Mitrovicë pati përparim, me përurimin e një segmenti 9.6 kilometra më 19 mars 2026.
Megjithatë, projekti nuk ishte përmbyllur tërësisht. Më 29 shtator, ministri Hekuran Murati paralajmëroi fillimin e punimeve në segmentin e fundit Smrekonicë–Mitrovicë.
Edhe në drejtim të Pejës vazhdonin punimet. Ministria e Infrastrukturës njoftoi në mars 2026 për ndërhyrje në segmentin Kijevë–Dollc.
Bajrami i përmendi të katër rrugët gjatë seancës së Kuvendit më 22 tetor, duke kërkuar afate konkrete dhe përgjegjësi për vonesat.
Ajo kërkoi që Kurti dhe zyrtarët e Vetëvendosjes t’u kërkojnë falje qytetarëve për mosrealizimin e premtimeve.
Kritikat e deputetes përqendrohen te mospërputhja ndërmjet afateve të shpallura dhe përfundimit të projekteve, ndërsa Qeveria ka theksuar përparimin në segmente të veçanta.
“Politikanët që nuk i mbajnë premtimet duhet me dhanë llogari, jo me marrë vota e duartrokitje”, shkroi Bajrami në reagimin e saj.
Duhet theksuar se gjatë mandateve të fundit janë menaxhuar rreth 20 miliardë euro buxhet, ndërsa katër akset kryesore rrugore vazhdojnë të mbeten të papërfunduara. Këto vonesa po dëmtojnë rëndë ekonominë e vendit dhe sigurinë në komunikacion, duke u shkaktuar humbje të mëdha qytetarëve dhe bizneseve që i shfrytëzojnë këto rrugë çdo ditë.