Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se më 22 tetor, kryeprokurorja e kësaj prokurorie kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., përmes së cilës ajo kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata kishin dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rastit të saj, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
Prokuroria ka bërë të ditur se, pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent.
“Me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, parashtresa u regjistrua për trajtim nga prokurori kompetent. Njëkohësisht, ajo iu përcoll për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën që të shqyrtohen pretendimet dhe të verifikohen lëshimet e mundshme apo veprimet e zyrtarëve përkatës, brenda kompetencave të tyre institucionale”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë.