Ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të miratohen urgjentisht dhe brenda këtij viti, për të mundësuar përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi kërkon nga partitë politike të harmonizojnë rregullat zgjedhore me hartën e re territoriale që u dekretua të shtunën edhe nga kreu i shtetit Bajram Begaj.
“Këto ndryshime do të duhej të kishin shkuar bashkë me hartën territoriale. Nëse këto ndryshime shkojnë përtej fundit të këtij viti, jo vetëm nga pikëpamja praktike do të krijohet problem për KQZ-në, por mund të lindin edhe probleme të karakterit ligjor. Duhet të angazhohen në mënyrë urgjente për të adresuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor”, tha Celibashi.
Celibashi tha se ndër dispozitat që kërkojnë rishikim janë mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë, kriteret për përcaktimin e numrit të tyre dhe përfaqësimi i njësive territoriale brenda bashkive të reja.
“E rëndësishme që reforma zgjedhore ta kishte përfunduar adresimin e këtyre çështjeve. Ka edhe pak kohë që, për një pjesë të tyre, palët politike të punojnë për t’i adresuar, për t’i mundësuar KQZ-së zbatimin e ndryshimeve ligjore të rastit. Miratimi i ligjit të ri për ndarjen administrativo-territoriale, për aq sa ne kemi parë, çmojmë se kërkon harmonizim të dispozitave të Kodit Zgjedhor me organizimin e ri territorial. Duhet të rishikohen dispozitat që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit, kriteret për përcaktimin e numrit, strukturën e përfaqësimit të njësive të ndryshme territoriale brenda një njësie vendore. Partitë politike duhet të angazhohen për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të adresuar ato kërkesa që lidhen me përfaqësimin.
Çështjet prioritare janë ato që kanë të bëjnë me rolin e shtetit në përgjithësi në procesin zgjedhor. Ndryshimet duhet të synojnë rregulla më të qarta për efikasitet dhe mekanizma kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Masat, siç rekomandohet edhe në raportet e vëzhgimit ndërkombëtar, duhet të jenë efektive dhe të verifikueshme, edhe për situatat e ndikimit të shtetit në zgjedhje”, tha Celibashi.
Për votimin dhe numërimin elektronik, KQZ-ja mbështet shtrirjen në sa më shumë bashki. Por, përballë kundërshtimit të Partisë Demokratike, Celibashi kërkon që mazhoranca dhe opozita të gjejnë konsensus.
“Ne kemi dashur dhe duam që kjo mënyrë të shtrihet sa më gjerë edhe në këto zgjedhje. PD është partia kryesore e opozitës dhe është fakt që s’mund ta injorojmë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje. Shkaqet dhe pretendimet e PD-së në lidhje me sigurinë e këtij sistemi nuk qëndrojnë. Mazhoranca duhet të angazhohet në një komunikim me PD-në dhe partitë e tjera dhe do të ishte mirë të kishte konsensus”, vijoi Celibashi.
Zgjedhjet e 9 majit, data e të cilave është dekretuar nga presidenti Bajram Begaj, Celibashi i sheh si një provë që Shqipëria duhet ta kalojë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
“Duhet ta kalojmë këtë provë me sukses të plotë. Nuk besoj se dikush do të mbyllë sytë nëse zgjedhjet në Shqipëri nuk do të marrin certifikatën sipas standardeve të BE-së”, thekson Celibashi.
Ndërkohë, grupi parlamentar i PS-së i ka kërkuar Kuvendit ngritjen e një komisioni të posaçëm për fazën e dytë të reformës territoriale, me fokus kompetencat e bashkive, financat dhe shërbimet vendore. PD-ja ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, me argumentin se kërkesat e saj në komisionin e mëparshëm nuk u morën parasysh.