Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet ta formojë grupin parlamentar, pasi, sipas të gjitha gjasave, tre deputetët e Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt tashmë kanë braktisur GP-në.
Në seancën e djeshme, deputeti goran Adem Hoxha është parë i ulur afër karrigeve të deputetëve të AAK-së.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se deputeti Hoxha pritet që së shpejti t’i bashkohet Grupit parlamentar të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Në një prononcim për “Indeksonline”-t, deputetja Time Kadrijaj ka konfirmuar se ata s’do të mbesin pa grup parlamentar.
Sipas saj, ai pritet të ketë gjithsej gjashtë deputetë. Megjithatë, ajo nuk ka përmendur emra konkretë të deputetëve që do të jenë pjesë e tij.
“Ende nuk është koha për formimin e grupit. T’i kalojmë këto seancat e para, pastaj do të shohim. Jo, nuk e di, nuk kam informacion për bisedime me Adem Hoxhën. Kemi pasur tema të tjera. Por, sigurisht që do të formojmë grup parlamentar dhe do ta bëjmë”, është shprehur ajo.