Dështimi i dytë radhazi për konstituimin e kuvendit po e thellon edhe më shumë ngërçin institucional, ndërsa mungesa e një zgjidhjeje politike po e zvarrit procesin.
Këtë herë, raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve nuk u hodh fare në votim, duke e bërë situatën edhe më të komplikuar.
Sipas Eugen Cakollit nga KDI-ja, raporti duhej të rikthehej për rishqyrtim dhe më pas të votohej. Ai thekson se raporti aktual nuk ka efekt juridik dhe çdo zgjidhje jashtë procedurës rrezikon të kthehet në pikën zero nga Gjykata Kushtetuese.
Në të njëjtën linjë është edhe analisti Artan Muhaxhiri, i cili thotë se bllokada është politike dhe ka shkelje të qarta të rregullores. Sipas tij, palët po veprojnë për interesa partiake, jo institucionale.
Të dy theksojnë se situata nuk mund të zgjidhet pa ndërhyrjen e Kushtetueses, ndërkohë që seanca e radhës pritet të mbahet të shtunën, në më pak se 48 orë nga thirrja e fundit.