Ndërsa Prokuroria Speciale në Hagë tashmë ka përmbyllur paraqitjen e dëshmitarëve ndaj Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tij, pyetja që shtrohet është nëse kushtet janë pjekur për të zbutur masën e sigurisë, përkatësisht lirimin nga paraburgimi.
Vendimi, sipas përfaqësuesve të Gjykatës dhe të shoqërisë civile, është ende i hapur, por rreziqet e theksuara nga prokuroria mund të përdoren si arsye për të vazhduar ndalimin.
Gjykata Speciale në Hagë në përgjigje për Ekonomia Online, bëri të ditur se kjo çështje mbetet në dorë të trupit gjykues dhe varet nga vlerësimi i rrezikut.
Angela Griep, shefe e Njësisë për Informim Publik dhe Komunikim në Dhomat e Specializuara thekson se çdo dy muaj rishqyrtohet nevoja për paraburgim, por asnjë garanci nuk jepet për ndonjë ndryshim të afërt.
“Gjykatësve u kërkohet me ligj që të shqyrtojnë çdo dy muaj nëse ekzistojnë ende arsyet për të mbajtur dikë në paraburgim. Përpara se gjyqtarët të vendosin, të dyja palët, mbrojtja dhe prokuroria, kanë mundësinë të japin mendimet e tyre. Gjyqtarët më pas përcaktojnë nëse ekziston rreziku që një i paraburgosur të ikë, të pengojë ecurinë e procedimeve dhe/ose të kryejë krime të mëtejshme. Ata gjithashtu përcaktojnë nëse këto rreziqe, nëse ka, mund të zbuten përmes masave të tjera përveç ndalimit të vazhdueshëm të një të akuzuari”, tha Griep.
Ajo sqaron se gjyqtarët vlerësojnë nëse ekziston rreziku që i paraburgosuri të ikë, të pengojë procedurat apo të kryejë vepra të tjera, si dhe nëse këto rreziqe mund të zbuten me masa më të lehta.
“Shkurtimisht, do t’i takon Trupit Gjykues të përcaktojë nëse të gjitha ose disa nga këto rreziqe vazhdojnë të ekzistojnë pasi Prokuroria të ketë përfunduar paraqitjen e provave të tyre dhe, nëse po, nëse rreziqet mund të zbuten përmes masave të tjera përveç vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarit”, tha ajo.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se zbutja e masës së sigurisë është diskutuar gjatë, por gjithmonë është refuzuar për shkak të një arsyeje të vetme: ndikimit ndaj dëshmitarëve.
Ai kujton se tashmë ekziston edhe një aktakuzë e veçantë për pengim të drejtësisë ndaj Hashim Thaçit, e cila, sipas tij, do të përdoret si mjet për të justifikuar mbajtjen në paraburgim.
Ai thotë se kushtet për zbutje janë pjekur, qoftë për paraburgim shtëpiak apo masa të tjera, meqë procesi ka zgjatur tej mase dhe të akuzuarit janë mbajtur për një kohë të gjatë pa lëvizje në këtë aspekt.
“Provat e prokurorisë tashmë janë administruar, pra nuk ka dëshmitarë të rinj të propozuar nga prokuroria. Çështja e zbutjes së masës së sigurisë është një çështje e cila është diskutuar shumë në të kaluarën edhe Prokuroria gjithmonë ka gjetur arsyetime të ndryshme. Mirëpo, arsyetimi kryesor i tyre ka qenë ndikimi te dëshmitarët, për çka edhe realisht ka një aktakuzë të re për dëmtim të administrimit të drejtësisë, apo pengim të administrimit të drejtësisë ndaj ish-presidentin Thaçi dhe kam frikë që kjo tash do të përdoret si një argument shtesë për prokurorinë edhe për Gjykatën në fakt që për të mos ja ndërpre paraburgimin. Realisht unë mendoj që kushtet janë pjekur që të zbutet masa me paraburgim shtëpiak apo me ndonjë masë tjetër, sepse edhe ashtu procesi ka zgjatur tepër shumë edhe për një kohë të gjatë janë të akuzuarit në paraburgim. E kam një bindje që nuk do të ndodh shpejt që të zbutet masa e sigurisë”, tha ai.
Blakaj komenton edhe fazën e mbrojtjes, duke parashikuar një kohëzgjatje më të shkurtër të administrimit të provave sesa ajo e Prokurorisë.
“Mendoj që edhe pse realisht mbrojtja ish dashtë që të ketë kohën e njëjtë sikur Prokuroria, mendoj që kjo administrimi i provave të propozuara nga mbrojtja edhe dëshmitarëve të mbrojtjes do të jetë më e shkurtër se sa ajo e Prokurorisë, pa marrë parasysh që janë katër ekipe mbrojtëse dhe secili ekip ka të drejtë që t’i propozojë dëshmitarët e vet. Në këtë rast për aq sa kemi parë, ne mendoj që do të bashkëpunojnë ekipet mbrojtëse dhe do t’i sjellin dëshmitarët e njëjtë të cilët ju hynë në punë të katër palëve”, tha ai.
Lidhur me kohën e përfundimit të procesit, Blakaj shton se pritjet janë që një aktgjykim i shkallës së parë mund të vijë gjatë vitit të ardhshëm.
“Këtë moment askush nuk mundet me ditë bile ndoshta as vetë paneli gjyqësor, sepse mund të zgjatet numri i ditëve të cilat kanë me u dëgjuar disa dëshmitarë. Po besoj që ndoshta viti i ardhshëm do të jetë – diku gjatë vitit të ardhshëm mund të presim një aktgjykim të shkallës së parë, pastaj normal ekzistojnë edhe shkalla e apelit e kështu me radhë”, tha ai