Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë më 22 prill 2025 në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, me rezultatet që çuan në arrestimin e disa personave të dyshuar për trafikim me narkotikë dhe sekuestrimin e sasisë prej mbi 4 kilogramësh substancë të dyshuar kokainë, me vlerë totale në treg mbi 380,000 euro. Po ashtu, gjatë operacionit janë konfiskuar armë zjarri, fishekë, para të gatshme dhe mjete tjera që dyshohet se janë përdorur në këtë veprimtari kriminale.
Në një prononcim eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka komentuar aksionin, ku theksoi se suksese të tilla janë të mirëpritura, por paralajmëroi se Policia e Kosovës është duke u ngarkuar tej mase, duke pasur parasysh angazhimet në pjesën veriore të vendit dhe sfidat tjera të përditshme.
“Policia duhet t’i kryejë të gjitha detyrat, pavarësisht sfidave që vijnë nga angazhimet shtesë në veri apo çështje të tjera që janë realisht barrë për institucionin. Megjithatë, ajo duhet të jetë e angazhuar në mënyrë të rregullt në parandalimin e kontrabandës dhe trafikimit të narkotikëve,” deklaron Ibishi.
Ai tërheq vërejtjen se përveç trafikimit, një problem serioz mbetet edhe përdorimi dhe shpërndarja e narkotikëve, sidomos te të rinjtë, shkruan IndeksOnline.
“Kjo është shqetësuese, sidomos kur kemi të bëjmë me përdorim në shkolla të mesme, e ndoshta edhe në ato fillore. Prandaj, është e domosdoshme një qasje më proaktive, që të mos mbetet vetëm në përgjegjësinë e policisë”, është shprehur Ibishi.
Ibishi nënvizon se përballja me këto sfida kërkon bashkëpunim ndërinstitucional dhe përfshirje aktive të shkollave, prindërve, komunitetit, si dhe të këshillave lokale për siguri.
“Vetëm përmes një bashkëpunimi të gjerë, që përfshin institucionet arsimore, komunat, këshillat për siguri dhe qytetarët, mund të kemi parandalim efektiv të rasteve të trafikimit dhe përdorimit të narkotikëve”, përfundon ai