Kosova Feston Ditën e Çlirimit me Diasporën në Gjermani dhe Danimarkë – Ambasadori Faruk Ajeti: Krenarë për rrugëtimin tonë të përbashkët
IndeksOnlineE Shtunë, 07 Qershor 2025 7:42
Në kuadër të shënimit të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani, në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike dhe komunitetin shqiptar në diasporë, ka paralajmëruar një sërë aktivitetesh kulturore dhe festive në disa prej qyteteve kryesore të Gjermanisë dhe Danimarkës.
Ngjarjet do të zhvillohen në Berlin, Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, Kopenhagë, München dhe Stuttgart, dhe do të përfshijnë një program të larmishëm që ndërthur artin, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare me përfshirjen aktive të komunitetit shqiptar në mërgatë.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti, në një njoftim drejtuar bashkatdhetarëve, shprehu mirënjohjen dhe krenarinë për përkushtimin e diasporës në ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare.
“12 Qershori është një ndër datat më domethënëse në historinë e shtetndërtimit tonë. Kjo ditë simbolizon sakrificën, qëndresën dhe fitoren tonë kolektive për liri. Kudo që jemi – në atdhe apo mërgatë – duhet ta kujtojmë dhe nderojmë me dinjitet këtë përvjetor,” theksoi Ambasadori Ajeti. Aktivitetet do të përfshijnë koncerte, shfaqje filmike, ekspozita fotografike, prezantime letrare, ngjarje sportive dhe panele diskutimi me pjesëmarrjen e artistëve, regjisorëve, sportistëve dhe figurave të njohura të diasporës shqiptare.
Ambasada fton të gjithë bashkatdhetarët që të bëhen pjesë aktive e këtyre organizimeve festive dhe të kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës historike dhe promovimin e vlerave tona kombëtare. “Me krenari për të kaluarën dhe besim në të ardhmen tonë të përbashkët, ftoj të gjithë qytetarët tanë që të na bashkohen në këtë festë të madhe të çlirimit dhe lirisë,” – shtoi Ambasadori Ajeti.