Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër ndaj ndalimit të Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare Horgosh.
Në një postim në Facebook, Koci ka bërë të ditur se Spahiu, i cili aktualisht jeton në Gjermani dhe prej tre vitesh nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës, është marrë në pyetje lidhur me rastin “Banjska” – pavarësisht se në kohën e ngjarjes nuk ka qenë më në detyrë.
“Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar,” ka shkruar Koci, duke e cilësuar ndalimin si një formë hakmarrjeje dhe presioni ndaj ish-pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, ndalimi i Spahiut vjen vetëm pak ditë pasi një ish-polic tjetër, Aleksandar Vlajiq, ka pranuar fajësinë për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin sekret serb BIA, duke konfirmuar operimin e këtij shërbimi brenda institucioneve të sigurisë në Kosovë.
“Ky është një sinjal i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës: kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe,” ka paralajmëruar Koci, duke kujtuar se edhe një ish-deputet është ndaluar pak ditë më parë në Serbi, por është liruar pas marrjes në pyetje.
Avokati ka njoftuar se është angazhuar në mbrojtjen ligjore të Spahiut, por ka theksuar se ky angazhim nuk mjafton dhe ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse në Kosovë.