Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, duke kërkuar angazhim urgjent nga IPK dhe bashkëpunim të plotë të Policisë gjatë hetimeve, shkruan Reporteri.net.
Sveçla pret që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe familjarët e opinioni publik të njoftohet me të gjitha të gjeturat për rastin.
“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal.
Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, ka shkruar ai në Facebook.
Në reagimin e tij pas më shumë se 36 orë, Sveçla thotë se askush s’është mbi ligjin, dhe fajtori do të përballet me drejtësinë duke marrë dënimin e merituar.
Ai gjithashtu shton se Policia vazhdon të jetë institucion i besuar, dhe diçka e tillë duhet të ruhet, ndaj nuk do të kursehet askush.
“Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar.
Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast”, ka shkruar Sveçla.
/Reporteri.net/
Haxhiu: Autopsia e 27-vjeçarit në Lipjan është kryer dje, pritet raporti përfundimtar nga IML
08 Korrik 2025 | 12:49
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan, ppr të cilin ka thënë se autopsia e tij është kryer të hënën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ajo ka theksuar se IML-ja po bën përpjekje maksimale që sa më shpejt të përfundoj raporti i autopsisë dhe se një preliminar s’është dorëzuar ende.
“Me urdhëresë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dje është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu. IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka dorëzuar asnjë raport preliminar për këtë rast.
I riu A.Z në Lipjan ka vdekur në rrethana të dyshimta. Lidhur me rastin janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pesë zyrtarë policorë.
Ata po dyshohen për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.