Tailanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime fillestare për një armëpushim pas tre ditësh përleshjesh vdekjeprurëse ndërkufitare, sipas deklaratave të publikuara të shtunën nga të dyja qeveritë dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Trump tha më herët gjatë fundjavës se kishte folur me kryeministrin kamboxhian Hun Manet dhe kryeministrin e përkohshëm të Tajlandës Phumtham Wechayachai në një përpjekje për të rivendosur qetësinë. Ai gjithashtu shprehu shpresë për përfundimin e marrëveshjeve tregtare me të dy vendet “sapo të jetë e mundur paqja”.
“Të dyja palët kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm dhe paqe. Ato gjithashtu duan të kthehen në ‘tryezën e tregtisë’ me Shtetet e Bashkuara, gjë që ne besojmë se duhet të ndodhë vetëm pasi të ndalen luftimet”, shkroi Trump.
“Ata ranë dakord të takoheshin menjëherë dhe të punonin shpejt drejt një armëpushimi dhe në fund të fundit, paqes!”
Në orët e para të së dielës, sipas orës lokale, Hun Manet falënderoi Trumpin dhe tha se Kamboxhia pranoi “propozimin për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte midis dy forcave të armatosura”. Ai vuri në dukje se më parë kishte bërë thirrje për një armëpushim në thirrjet drejtuar kryetarit të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe kryeministrit të Malajzisë Anwar Ibrahim.
Ministria e Jashtme e Tajlandës lëshoi një deklaratë më të matur, duke thënë se Phumtham Wechayachai donte të shihte “një qëllim të sinqertë nga Kamboxhia”, por gjithashtu “i kishte kërkuar Presidentit Trump të përcjellë se Tajlanda kërkon të nisë dialogun dypalësh sa më shpejt të jetë e mundur për të përcaktuar hapat dhe procedurat për një armëpushim dhe në fund të fundit një zgjidhje paqësore të konfliktit”.