Admiistrata e Presidentit Donald Trump ka vendosur tarifa të reja deri në 39% mbi importet nga Zvicra, duke rrezikuar të godasë rëndë ekonominë e këtij vendi të orientuar drejt eksporteve.
Tarifat do të hyjnë në fuqi të enjten dhe pritet të ndikojnë rreth 60% të eksporteve zvicerane drejt SHBA-së, që përfshijnë produkte farmaceutike, ora luksoze, makineri dhe çokollata – sektorë kyç për ekonominë helvete.
Në një deklaratë zyrtare të hënën, Këshilli Federal i Zvicrës njoftoi se po përgatit një “ofertë më tërheqëse” për negociatat me Uashingtonin, në përpjekje për të zbutur ose shmangur tarifat.
Qeveria zvicerane shprehu gatishmërinë për të marrë parasysh shqetësimet e SHBA-së, por nuk dha detaje mbi ofertën dhe nuk përjashtoi mundësinë e kundërmasave.
VIDEO/ Nis të belbëzojë, Ministrit serb i ndodh e papritura LIVE në televizion
Një vendim që i mori të gjithë në befasi
Zvicra u befasua të premten nga njoftimi i tarifave, i konsideruar si pjesë e strategjisë së Trump për ristrukturimin e tregtisë globale. Lëvizja ka shkaktuar alarm në qarqet ekonomike, me grupet industriale që paralajmërojnë se dhjetëra mijëra vende pune janë në rrezik.
Sipas ekonomistit Hans Gersbach nga ETH Cyrih, këto tarifa mund të ulin PBB-në zvicerane me 0.3% deri në 0.6%, ndërsa nëse përfshihet edhe sektori farmaceutik, goditja mund të kalojë 0.7%.
Në një skenar afatgjatë, tkurrja e PBB-së mund të tejkalojë 1%. Përshkallëzimi mund të detyrojë edhe Bankën Kombëtare Zvicerane të ulë normat e interesit në shtator.
SHBA akuzon Zvicrën për “marrëdhënie të njëanshme”
Shtëpia e Bardhë e justifikoi vendimin me mospajtimet për heqjen e barrierave tregtare, duke e cilësuar marrëdhënien tregtare si “të njëanshme”.
Zvicra, nga ana tjetër, u shpreh e habitur që u bë objektiv i një mase kaq drastike, duke theksuar se ka hequr që prej janarit 2024 të gjitha tarifat doganore për mallrat industriale, duke i mundësuar mbi 99% të produkteve amerikane të hyjnë pa tarifë.
Gjithashtu, sipas të dhënave zyrtare, Zvicra është investitori i gjashtë më i madh në SHBA, dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe është katërfishuar në 20 vitet e fundit.
Deficiti tregtar në qendër të krizës
Presidenti Trump fajëson deficitin tregtar të SHBA-së, që sipas vlerësimeve është rreth 1.2 trilion dollarë, si një faktor kyç për vendimin. Vitin e kaluar, Zvicra regjistroi një suficit tregtar me SHBA-në prej 38.5 miliardë frangash zvicerane (41.2 miliardë euro), duke u vënë nën vëzhgimin e administratës amerikane.
Presidentja zvicerane, Karin Keller-Sutter, deklaroi për Reuters se “Presidenti është shumë i përqendruar në deficitin tregtar, sepse e sheh atë si një humbje ekonomike për Shtetet e Bashkuara.”
Zvicra kërkon trajtim të barabartë me partnerët e tjerë
Vendimi i SHBA-së ka shkaktuar irritim në Bernë, e cila e sheh masën si një diskriminim, duke pasur parasysh se BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat kanë suficite më të mëdha tregtare me SHBA-në, kanë arritur marrëveshje me tarifa jo më të larta se 15%.
Alternativa dhe presion politik
Ministri zviceran i Ekonomisë, Guy Parmelin, la të kuptohet se Zvicra mund të shqyrtojë mundësinë e blerjes së gazit natyror të lëngshëm amerikan dhe rritjes së investimeve në SHBA si pjesë e ofertës së saj.
Por zërat politikë brenda vendit po kërkojnë një qasje më të ashpër, përfshirë ndalimin e blerjes së avionëve luftarakë F-35A Lightning II, me vlerë 6 miliardë franga.
Në tregjet financiare, ndikimi u ndje menjëherë. Indeksi kryesor zviceran (.SSMI) ra me 0.4% të hënën, ndryshe nga trendi pozitiv në Evropë.
Aksionet e Richemont dhe Swatch ranë me 1.5% dhe 1.8% përkatësisht, pas luhatjeve të ndjeshme gjatë ditës. Ndërkohë, franga zvicerane u dobësua ndaj dollarit, duke arritur në 0.8073 CHF – niveli më i lartë në një muaj.