Pjesëtari i shoqërisë civile, Agon Maliqi beson se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe qeverisja e tij, qëllimshëm janë duke e neglizhuar situatën kaotike në Radio Televizionin e Kosovës.
700 punonjës të RTK-së kanë mbetur pa rroga për shkak të mungesës së alokimit të mjeteve për transmetuesin publik.
Maliqi pyeti sot Kurtin se si mund t’i lë pa paga 700 jetë njerëzish, derisa vet qëndron jashtëligjshëm në karrigen e kryeministrit në detyrë.
“Sa i pakonsideratë duhesh me qenë për jetët e njerëzve me i lanë 700 punëtorë të RTK-së pa rroga, duke u thirrur në teknikalitete ligjore, për mjete që tashmë i janë ndarë RTK-së me buxhetin e vitit 2025, ndërkohë që vetë si kryeministër bashkë me mininstra je në poste qeveritare në shkelje të ligjit (sipas Gjykatës Supreme)?”, tha Maliqi. “Dhe atë përkundër faktit se ekziston precedenti për transferimin e mjeteve në rrethana të ngjashme nga qeveria Hoti”.
Maliqi tha se pushteti i Vetëvendosjes, përmes kësaj metode, po përpiqet ta thellojë kontrollin politik mbi RTK-në.
“Shumëkush mund të ketë vërejtje për punën e dobët të RTK-së dhe reforma e tij rrënjësore është pa dyshim e domosdoshme. Por ky është një presion i qartë ndaj transmetuesit publik për thellimin e kontrollit politik përmes një manovre që i trajton 700 familje si copa lecke”, tha ai.