Autoritetet amerikane po vijojnë kërkimet për autorin e vrasjes së aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk, një aleat me ndikim i Presidentit Donald Trump, i cili u qëllua për vdekje të mërkurën ndërsa mbante një fjalim në një universitet në Utah.
Vrasja makabre e ndodhur përpara kamerave ka shkaktuar tronditje në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Autoritetet thanë se ende nuk kishin asnjë të dyshuar në paraburgim deri të mërkurën në mbrëmje, rreth tetë orë pas të shtënave në mesditë në kampusin e Universitetit Utah Valley në Orem, gjatë një eventi ku morën pjesë 3,000 persona.
Policia shtetërore lëshoi një deklaratë të mërkurën në mbrëmje duke thënë se dy burra ishin ndaluar dhe njëri ishte marrë në pyetje nga forcat e rendit, por të dy u liruan më pas.
Në një mesazh video të regjistruar në Zyrën Ovale dhe të postuar në platformën online Truth Social, presidenti Trump u zotua se administrata e tij do ta arrestonte të dyshuarin. Trump urdhëroi që të gjithë flamujt qeveritarë të SHBA-së të valëviteshin në gjysmë shtizë deri të dielën në nder të Charlie Kirk. Charlie Kirk ishte drejtues dhe bashkëthemelues i një organizate konservatore rinore, Turning Point.
Ajo u themelua në Çikago në vitin 2012 nga Kirk – që atëbotë ishte 18 vjeç – dhe William Montgomery, me qëllim që në kampuse universitare të promovoheshin idetë për taksa më të ulëta dhe qeverisje më të kufizuar. Organizata nuk pati sukses të menjëhershëm.
Por, zelli i Kirkut për t’u konfrontuar me liberalët në kampuset universitare mori mbështetjen e një grupi të konservatorëve me ndikim.
Turning Point e ka mbështetur Trumpin pasi ai fitoi nominimin e republikanëve më 2016 për zgjedhjet presidenciale.
Më pas, Kirk u bë gjithnjë e më i pranishëm në media dhe vazhdoi të mbështeste politikat e Trumpit.