Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur se Washingtoni ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën.
Në deklaratë thuhet se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në qëllimin e përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e përbashkët ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Dialogu strategjik mes dy vendeve, sipas ambasadës, ishte planifikuar të shërbente për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në të mirë të qytetarëve amerikanë dhe kosovarë.
Çfarë është dialogu strategjik?
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.