“Kushtuar hulumtuesve të shqipes” nga Xhevat Lloshi, “Mësime nga një jetë shekullore” nga Edgar Morin dhe “Nën petkun e padrejtësive” nga Kimete Arifaj janë librat që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
ENCIKLOPEDI E SHQIPES PËRMES STUDIUESVE SHQIPTARË E TË HUAJ
Titulli: Kushtuar hulumtuesve të shqipes
Autor: Prof. dr. Xhevat Lloshi
Gjinia: Studime
Redaktor: Naim Zoto
Shtëpia botuese: Naimi
Çmimi: 2000 lekë
Në debatin mbi origjinën, historinë dhe marrëdhëniet e gjuhës shqipe me gjuhët e tjera vitet e fundit ka ndodhur një zallamahi ku përziejet dija e verifikuar dhe certifikuar përmes standardeve shkencore prej amatorizmit apo lloj-lloj mashtruesish, që pseudo teoritë e tyre iu veshin një sfond gjoja nacionalist. Ka edhe marifetçinj që i mbështesin “teoritë” e tyre duke cituar hipoteza apo autorë që tezat apo, më saktë, hipotezat e tyre nuk i kanë rezistuar dot debatit shkencor dhe janë mënjanuar prej kohësh dhe askush nga studiuesit seriozë nuk iu referohet sot.
Prof. Xhevat Lloshi ka përzgjedhur t’i ofrojë lexuesit kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për historinë e gjuhës shqipe mbi 30 studiues e kontribuues, shqiptarë e të huaj, si shenjë nderimi dhe mirënjohje për çka ata kanë bërë e dhënë, duke filluar me: Eqrem Çabej, Ëilliam Martin-Leake, Norbert Jokl, Franz Bopp, Aleksandër Xhuvani, Johann Georg von Hahn, Kostaq Cipo, Gustav Meyer, Idriz Ajeti, Teodor Kavalioti, Shaban Demiraj, për të vijuar me Dhanil Voskopojari, Isaac Loëndes, Jernej Kopitari, Alexander Thomson, Naum Veqilharxhi, Princ Bonaparti, Dhimitër Kamarda, Auguste Dozon, Hafiz Ali Korça, Rajko Nahtigal, Lef Nosi, Tomor Osmani, Edith Durham, Androkli Kostallari, Eric Hamp, Petër Prifti, Agnia Vasiljevna Desnickaja, Emil Lafe, Seit Mansaku, Shefkije Islamaj, Zeqirija Ismaili e Tefë Topalli.
EDGAR MORIN, “MËSIME NGA NJË JETË SHEKULLORE” NË SHQIP
Titulli: Mësime nga një jetë shekullore
Autori: Edgar Morin
Gjinia: Sociologji
Përktheu: Ilia Lëngu
Shtëpia botuese: Fan Noli
Çmimi: 1000 lekë
“Le të jetë e qartë se unë nuk po i jap mësime askujt. Po përpiqem të vjel mësime nga një përvojë jete shekullore dhe shekullore, si dhe uroj që ato t’i vlejnë çdokujt, jo vetëm kur mendon për jetën e vet, por gjithashtu dhe kur kërkon të gjejë Rrugën e tij të mirëfilltë.” Kështu shprehet autori Εdgar Μorin në lidhje me librin e tij “Mësime nga një jetë shekullore”, që vjen i përkthyer në shqip nga Ilia Lëngu.
Edhe pse mbi njëqindvjeçar, Edgar Morin-i vazhdon të jetë i preokupuar dhe i shqetësuar për kohën tonë. Ky mendimtar humanist ka qenë dëshmitar dhe aktor i shtegtimeve dhe shpresave, i krizave dhe i çregullimeve të shekullit të tij. Ai na përcjell në këtë libër mësime të vjela nga përvoja e tij shekullore mbi kompleksitetin njerëzor.
“Mësime nga një jetë shekullore” është një ftesë për qartësi dhe vigjilencë.
Lindur në 1921, drejtues kërkimor shkencor i merituar në CNRS, doctor honoris causa në 36 universitete të botës, Edgar Morin është një nga mendimtarët madhorë të kohës sonë.
“NËN PETKUN E PADREJTËSIVE”, ‘TERAPI’ PËRMES VARGJESH
Titulli: Nën petkun e padrejtësive
Autore: Kimete Arifaj
Redaktore: Klodiana Metani
Shtëpia botuese: Muza
Çmimi: 1200 lekë
Ky libër nuk është rrëfim. Është mbijetim i ndjenjave, një udhëtim përmes padrejtësive të heshtura, dhe një zgjim i fuqisë së brendshme. Fjalët këtu nuk kërkojnë më drejtësi nga jashtë – ato gjejnë drejtësinë e humbur brenda nesh.
Kimete Arifaj ka lindur në Istog më 13 shkurt 1997. Ajo ka filluar të merret me art dhe shkrime që në moshë të hershme, duke i kthyer ndjeshmërinë, poezinë dhe krijimtarinë në forma të qëndresës së heshtur. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe është e njohur për përkushtimin e saj në fuqizimin rinor, paqeruajtjen dhe ndërtimin e besimit përmes artit, fjalës dhe veprimit krijues.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
“Melodia e Vargut” sjell dy poezi te Martha Medeiros, gazetare dhe shkrimtare e njohur braziliane.
Poezia e parë me titull “Vdes ngadalë” është një himn për jetën dhe rëndësinë e saj. Një thirrje për të dalë nga zona e qetësisë e të mos jesh skllav i zakonit por të përqafosh jetën me gjithë risitë dhe rreziqet e saj.
Vdes ngadalë
Vdes ngadalë
Kush bëhet skllav i zakonit,
Duke përshkuar çdo ditë të njëjtat shtigje kush nuk ndryshon kurrë udhë,
E nuk ndërmerr rreziqe.
Vdes ngadalë kush shmang një pasion,
Kush vë të zezën mbi të bardhë
E pikat mbi i
Në vend që të zgjedhë larmi emocionesh,
Ato të cilat bëjnë të të shkëlqejnë sytë
E përgjumjen ta kthejnë në buzëqeshje,
Ato që bëjnë të të rrahë zemra
Përballë gabimit dhe ndjenjave.
Vdes ngadalë kush nuk e kthen situatën kur është i pakënaqur në punë,
Kush zgjedh qetësinë në vend të rrezikut
Për të ndjekur një ëndërr,
Ai që nuk i lejon vetes
Të paktën një herë në jetë
T’u arratiset këshillave të arsyes.
Vdes ngadalë kush nuk udhëton,
Kush nuk lexon, nuk dëgjon muzikë,
Ai që nuk gjen hijeshi e vlerësim te vetja,
Ai që refuzon ndihmën
Apo i kalon ditët duke u ankuar
Për fatin e tij, për shiun e pandërprerë. Ngadalë vdes kush braktis një projekt
Përpara se ta fillojë atë,
Kush nguron të pyes për çfarë nuk njeh
Apo nuk ndan ato çfarë di.
Le ta shmangim këtë vdekje
Në doza të vogla,
Sepse të jetosh, çdo ditë
Është përpjekje, sakrificë,
Dhe durimi i zjarrtë, vetëm ai
Do të çojë në arritjen e lumturisë.
Poezia e dytë titullohet:
Copëza të miat
Jam bërë prej ëndrrash të thyera
Gjestesh që s’mi kanë përfillur
Jam dashuritë e penguara,
Ngashërimet pa arsye,
Njerëzit e shtrenjtë në zemër
Veprimet e rrëmbyera.
Kam mall për vendet që s’njoha
Eksperiencat e pajetuara
Çastet tashmë të harruara.
Jam dashuri
Dhe përkushtim i vazhdueshëm,
E shpërqëndruar aq sa duhet
Po nuk ndaloj një çast.
Eh,
Kam pasur netë pa gjumë
kam humbur njerëz të dashur
Kam bërë dhe gjëra që s’doja
Shumë herë jam dorëzuar pa u përpjekur kam menduar ndonjëherë dhe të arratisem, për të mos u përballur.
Kam buzëqeshur për të fshehur lotët.
Më vjen keq për gjërat që s’munda të ndryshoj
Miqësitë që nuk ruajta
Për kë kam gjykuar
Për çfarë kam thënë.
Ndiej nostalgji për njohjet e vjetra
Kujtimet e harruara
E për të tjera që druhem do të harroj,
Por vazhdoj, vazhdoj ta jetoj këtë jetë
E të mësoj prej saj.