Sot, në orën 09:00, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të shqyrtuar kërkesën e PD-së për mocion me debat mbi programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme.
Kërkesa u bë më 26 shtator nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, pasi në seancën plenare të 18 shtatorit, opozita nuk lejoi prezantimin e programit nga kryeministri Edi Rama, dhe për rrjedhojë, socialistët e kaluan për votim brenda 25 minutave bashkë me kabinetin e ri.
Më pas nga ora 10:00 e tutje pritet të bëhet konstituimi i 5 nga 11 komisioneve parlamentare pas miratimit të përbërjes së tyre javën e kaluar nga maxhoranca dhe opozita.
Në orën 10:00, do të bëhet konstituimi i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në 10:30, do bëhet konstituimi i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Ky Komision pritet të miratojë dhe kalendarin 3 javor të punimeve për periudhën 29 shtator – 17 tetor 2025 si dhe të raportimeve vjetore të disa organeve kushtetuese, atyre të ngritura me ligj si dhe institucionet e varësisë për veprimtarinë e tyre për vitin 2024.
Në orën 11:00 bëhet konstituimi i Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural dhe ai për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale. Në orën 12:30 bëhet Konstituimi i Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Në seancën e kaluar, opozita dërgoi emrat e anëtarëve të komisioneve në Kuvend, dhe bashkoi votat me maxhorancën për miratimin e tyre. Ngërçi u krijua pasi opozita kundërshtonte ndarjen 7 (për maxhorancën) dhe 4 (për opozitën) të komisioneve.