Policia e Kosovës e ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje edukatoren e një çerdhje në Lipjan, e cila dyshohet se ka rrëzuar për tokë një fëmijë, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Po pas përfundimit të disa veprimeve hetimore është arrestuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje”, ka konfirmuar Ahmeti.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj edukatores.
Në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, Prokuroria Themelore njoftoi se ka hapur një hetim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” sipas nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Ne kemi iniciuar hetimet në bazë të nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’. Aktualisht, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga ana e prokurorit të shtetit,” thuhet në përgjigje.
Ngjarja ka ndodhur në një çerdhe në Lipjan dhe është raportuar fillimisht nga familjarët e fëmijës të cilët shprehen të tronditur nga incidenti.
Shaban Avdyli, daja i fëmijës së lënduar, ka shprehur tronditjen dhe shqetësimin e tij për ngjarjen. Ai ka thënë se vajza ka pësuar lëndime serioze në fytyrë dhe ka kërkuar drejtësi për veprimin e mësueses.
“Si dajë, jam i tronditur dhe shumë i lënduar për mbesën time. Sot në mëngjes në çerdhe, një mësuese, Behare Gashi, ka rrëzuar për tokë vajzën dhe ajo ka marrë lëndime serioze në fytyrë. Kjo nuk duhet t’i ndodhë asnjë fëmije! Fëmijët duhet të jenë të mbrojtur në shkollë, jo të dëmtohen nga ata që duhet t’i edukojnë. Kërkoj drejtësi dhe përgjegjësi për këtë sjellje të papranueshme,” tha Avdyli.