Për shumë vite, studiuesit janë pyetur se si banorët e lashtë të ishullit Rapa Nui arritën të kryenin atë që dukej e pamundur dhe të lëviznin statujat Moai, simbolin e ishullit. Duke përdorur një kombinim të fizikës, modelimit 3D dhe eksperimenteve në terren, një ekip nga Universiteti Binghamton, Universiteti Shtetëror i Nju Jorkut, ka konfirmuar se statujat në fakt janë lëvizur, sipas Universitetit Binghamton.
Sipas burimit të cituar, statujat mund të jenë lëvizur me ndihmën e një litari dhe një numri befasueshëm të vogël njerëzish. Duke studiuar gati 1.000 statuja Moai, profesori i antropologjisë Carl Lipo nga Universiteti Binghamton dhe Terry Hunt nga Universiteti i Arizonës zbuluan se banorët e ishullit Rapa Nui me shumë gjasë përdornin litarë dhe i “zhvendosnin” statujat gjigante në zigzag përgjatë rrugëve të planifikuara me kujdes.
Carl Lipo dhe kolegët e tij kishin treguar më parë, përmes provave eksperimentale, se statujat e mëdha “ecnin” nga guroret deri te platformat ceremoniale duke përdorur një lëvizje vertikale, të lëkundur, duke kundërshtuar teorinë se statujat transportoheshin në pozicion horizontal mbi pajisje prej druri.
“Pasi ta vësh në lëvizje, nuk është aspak e vështirë – njerëzit e tërheqin me një krah të vetëm. Kështu kursehet energji dhe lëviz shumë shpejt,” tha Lipo. “Pjesa e vështirë është ta vësh në lëvizje. Pyetja është: nëse është shumë e madhe, çfarë duhet të bësh? Gjërat që kemi parë gjatë eksperimentit janë në përputhje me atë që do të prisnim nga perspektiva e fizikës?”
Për të testuar hipotezën e tyre, ekipi i Lipo-s krijoi modele 3D të statujave. Ata identifikuan veçori të dallueshme – baza të gjera në formë D-je dhe një pjerrësi përpara – të cilat do t’i bënin më të përshtatshme për t’u lëvizur.
Më pas, studiuesit ndërtuan një replikë të statujës me peshë 4,35 tonë me këto karakteristika. Me vetëm 18 pjesëmarrës, ekipi arriti ta transportojë statujën në një distancë prej 100 metrash në vetëm 40 minuta.
“Fizika ka kuptim,” tha Lipo. “Ajo që kemi vëzhguar gjatë eksperimentit funksionon në realitet. Dhe ndërsa bëhet më e madhe, vazhdon të funksionojë. Të gjitha veçoritë që vërejmë në lidhje me zhvendosjen e statujave gjigante bëhen gjithnjë e më të qëndrueshme sa më shumë që ato bëhen edhe më të mëdha, sepse kjo bëhet e vetmja mënyrë për t’i lëvizur.”