Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski ka standarde të dyfishta kur i trajton çështjet etnike dhe nacionalizmin. Kur partnerët e tij qeverisës shqiptarë nga VLEN bëjnë thirrje për mbrojtjen e interesave shqiptare, ai ua ngreh veshin dhe u bën kërcënime. Ndërkaq kur bashkëpartiakët e tij dhe partnerët qeverisës nga ZNAM apo Koncepti Maqedonas e bëjnë këtë, Mickoski i mbyll sytë, shkruan Portalb.mk. Kjo qasje e Mickoskit është reflektuar si në nivel qendror ashtu edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale. Analistët politikë thonë se këto sjellje shfaqin probleme më të thella me të cilat ballafaqohet shoqëria në vend.
Zgjedhjet lokale thelluan dallimet nacionaliste midis VMRO dhe VLEN
Kryeministri Hristijan Mickoski u revoltua dhe nuk e priti aspak mirë kur kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, njëherit edhe kandidat për mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Tetovës, ditë më parë në Syri TV tha se në rrethin e dytë do të përkrahin kandidatin shqiptar nga AKI-ja opozitare , Famir Deharin, përballë kandidatit të VMRO-DPMNE-së. Mickoski tha se ky reagim do të ketë kundër-reagim.
Ndërkaq, Mickoski kërcënoi kandidatin e VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadanin, se pasi ai të humbasë zgjedhjet, do ta shkarkojë nga pozita e drejtorit të Inspektoratit të Vetëqeverisjes Lokale. Kjo për shkak se Ramadani bëri thirrje që opozita shqiptare ta përkrahë atë në rrethin e dytë përballë kandidatit të VMRO-së. Mickoski tha se ky është një gabim i cili do reflektojë në Tetovë, Dibër, Strugë.
Kryeministri Mickoski nga VMRO-DPMNE-ja madje është shprehur se kanë sakrifikuar në Tetovë, Strugë, Çair, Gostivar dhe Dibër, duke nënkuptuar përkrahjen ndaj VLEN-it, dhe se këta të fundit nuk e kanë respektuar këtë, duke thënë se VMRO-ja nuk do ta harrojë.
Ndonëse i shpejtë për të reaguar kur koalicioni shqiptar bën thirrje për unitet të votës shqiptare në Kërçovë dhe Bërvenicë, Mickoski nuk ka reaguar ndaj reagimeve të cilat përhapen në opinion për “Kërçovën maqedonase”.
Mickoski nuk ka reaguar as kur kandidati i tij për Kërçovën, Aleksandar Jovanovski thuri lavde falënderimi për LSDM-në, ZNAM-in, Levicën dhe partitë tjera maqedonase që e përkrahën atë në rrethin e parë.
Sipas kësaj logjike, VMRO-DPME mund të përkrahet nga partitë tjera maqedonase, ndërsa VLEN dhe AKI shqiptare nuk mund të përkrahen në mes vete.
Muaj më parë kryeministri e kërcënoi edhe drejtorin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizin, i cili refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve gazetareske në gjuhën maqedonase në një deklaratë për shtyp, duke këmbëngulur se sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duhet të ketë përkthyes. Mickoski tha se nëse Idrizi vepron edhe njëherë në këtë formë, do të shkarkohet. Shkarkimin e Idrizit e paralajmëroi edhe zëvendëskryeministri dhe ministri Ivan Stoilkoviq.
LEXO: Mickoski do ta shkarkojë drejtorin e Inspektoratit të Gjuhëve, Arsim Idrizin nëse përsëri refuzon të flasë maqedonisht
Nga ana tjetër, Mickoski nuk ka reaguar kur kryetari i ZNAM-it, parterit në qeveri, kërcënoi se do të largohet nga shumica qeverisëse nëse VLEN në koordinimin e veçantë të ministrave të saj vendosin flamurin shqiptar.
Mickoski madje nuk i ka dënuar deklaratat albanofobike të liderit të partisë “Koncepti Maqedonas” Petar Bogojeskit i cili ka qenë këshilltar i Mickoskit, madje ai u emërua në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane dhe Mobilitet të Maqedonisë së Veriut. Por pas presionit publik, ai u largua nga ky post.
LEXO: Skandal: Shkelësi i vlerave të BE-së Petar Bogojeski u emërua në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet
Pavarësisht se kryeministri deklaron se nuk është albanofob, qëndrimet e tij aludojnë në të kundërtën. Mickoski edhe në të kaluarën kur ka qenë në opozitë ka përmendur se derisa ka VMRO-DPMNE nuk do lejojnë të shuhet “zjarri maqedonas”.
Madje, zgjedhjet e fundit parlamentare i fitoi me sloganin “Maqedonia përsëri e jotja”, slogan ky që bie në sy për shkak të faktit që shtetin kërkon t’ia kthejë etnisë së cilës i përket.
Qasja e Mickoskit flet për dominancën në qeveri dhe për probleme më të thella shoqëri
Sipas analistit dhe hulumtuesit Xhelal Neziri, kjo qasje e Mickoskit flet për pozicionin dominues që ai ka në qeveri, i cili e vesh atë me një pushtet të madh për të shpërblyer apo ndëshkuar dikë.
“Megjithatë, mënyra se si Mickoski e ushtron këtë pushtet është krejtësisht e gabuar dhe kundërproduktive pasi nuk mban llogari për imazhin publik të partnerit të tij të koalicionit nga kampi shqiptar. Në fakt ai u drejtohet vetëm maqedonasve etnikë, pra votuesve të tij që janë të zhgënjyer nga mosrespektimi i marrëveshjeve për zgjedhjet lokale, por ky mesazh merr një tonalitet krejtësisht ndryshe te opinioni publik shqiptar, i cili e sheh si kërcënim apo kut të dyfishtë”, thekson Neziri.
Ai mendon se është mirë që partnerët e koalicionit t’i debatojnë dhe zgjidhin problemet ndërmjet tyre pa mos e polarizuar panevojshëm shoqërinë, pasi ato marrëveshje për mbështetje të ndërsjellë në komuna të ndryshme janë me interes për partitë, por kanë pak ose aspak lidhje me interesin publik.
“Interesi i qytetarëve është pushtet lokal efektiv, i denjë që të zgjidhë problemet e tyre e jo t’i komplikojë edhe me shumë, siç është rasti me intrigat e fundit rreth zgjedhjeve lokale”, thotë Neziri.
Sipas analistit dhe bursistit të Chevening në Shkollën e Studimeve Orientale dhe Afrikane në Londër, Emir Hasanoviç, kjo situatë është tregues i një problemi shumë më të madh, një simptomë, jo një diagnozë.
Ai thotë se problemi qëndron te fakti se kemi blloqe etnike që nuk i japin llogari askujt përveç vetë komunitetit të tyre etnik madje në kurriz të komuniteteve të tjera.
“Kjo krijon një atmosferë të përkëdheljes së elektoratit nacionalist dhe të servilizmit politik, ku politikanët ndihen të detyruar të përdorin retorikë të ashpër vetëm për të fituar simpatinë e segmenteve më radikale të shoqërisë. Mickoski, Kasami, Ahmeti, Mexhiti, të gjithë veprojnë sipas kësaj logjike për të rritur rezultatet e tyre elektorale”, thotë Hasanoviç.
Sipas tij, ajo që është më shqetësuese është se këta njerëz drejtojnë poste të rëndësishme qeveritare, si në nivel lokal ashtu edhe qendror, jo vetëm partiake.
“Kur postet zyrtare përdoren për të zbatuar prirjet nacionaliste, krijohet një situatë e rrezikshme. Në afat të gjatë, kjo mund të sjellë përçarje dhe revoltë, por edhe më shqetësuese është se e zhvendos vëmendjen nga përpjekjet afatshkurtra për përmirësimin real të jetës së qytetarëve tanë”, nënvizoi ai.
Hasanoviç thekson se kjo superstrukturë politike, e ndërtuar mbi partitë monoetnike ekzistuese, është toksike dhe pikërisht këtu është problemi.
“Zgjidhja e vetme janë parti dhe lëvizje që janë vërtet multietnike, që detyrohen të jenë të kujdesshme në retorikë dhe që në fakt bëjnë diçka konkrete për të mirën e të gjithëve. Përndryshe, këtë vit kemi një kryeministër maqedonas që kërcënon shqiptarët, vitin tjetër do të jenë ministrat shqiptarë që bëjnë të njëjtën gjë, e kështu me radhë. Ajo rrotë duhet thyer, pavarësisht ngjarjeve aktuale, sepse nuk ka aktorë të pafajshëm”, përfundoi Hasanoviç.
Në kolumnën e saj për Portalb.mk, Besa Arifi thotë se perceptimi selektiv i identitetit vazhdon të formësojë tonin e jetës sonë publike, dhe me këmbëngulje përcakton se çfarë konsiderohet si diskurs politik i pranueshëm.
shqiptarët, dhe akt patriotizmi kur e promovon VMRO-DPMNE? Kur thirrja për “mbrojtjen e interesave kombëtare” vjen nga njëra anë, ajo lavdërohet si dashuri për atdheun; kur vjen nga ana tjetër, dënohet si nacionalizëm. Ky moralitet i dyfishtë e ka ndjekur prej kohësh diskursin tonë politik. Ai tregon se si identiteti, në vend që të jetë trashëgimi e përbashkët, është shndërruar në një mjet që disa mund ta përdorin lirisht, ndërsa të tjerëve u ndalohet”, shkruan Arifi.
Vitin e fundit, në vend janë regjistruar një sërë e rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe nacionalizmave nga ana e funksionarëve publikë dhe politikanëve.
Ndryshe, sa herë që afrohen zgjedhjet, në Maqedoninë e Veriut përkeqësohet gjuha e urrejtjes edhe në media mbi baza etnike.