Turqia kundër Nutella-s, kjo është përballja që po shfaqet në tregjet ndërkombëtare midis Ferrero-s, prodhueses së kremit të famshëm me çokollatë dhe lajthi, dhe tregtarëve turq. Për shkak të një prodhimi më të dobët të lajthive, të dëmtuar nga një insekt që lëshon aromë të keqe për t’u mbrojtur nga grabitqarët, eksportuesit turq kanë rritur ndjeshëm çmimet.
Kompania italiane, e cila përdor rreth një të katërtën e prodhimit global të lajthive, përbërësi kryesor i Nutella-s, ka reaguar duke ndalur blerjet nga Turqia, një prej furnitorëve të saj kryesorë deri më tani.
Në vend të kësaj, Ferrero po mbështetet në rezervat e veta dhe në eksportet nga vende të tjera, kryesisht nga Kili dhe Shtetet e Bashkuara.
Reagimi i tregjeve
Sipas Financial Times, ky “duel ekonomik” nuk i ka qetësuar tregjet, sepse ndërmjetësit ndërkombëtarë po blejnë masivisht nga të gjithë prodhuesit, duke menduar se Ferrero, konsumatori më i madh i lajthive në botë, do të detyrohet të kthehet së shpejti te furnitorët turq. Një agjent i bursës londineze, Giles Hacking, deklaroi për gazetën:
“Tregtarët lokalë në Turqi po blejnë gjithçka që gjejnë, duke parashikuar se Ferrero do të kthehet t’u trokasë përsëri në derë. Në thelb, ata po përpiqen ta shantazhojnë Nutella-n.”
Ndërsa Marco Botta, drejtor i përgjithshëm i Ferrero Hazelnut Company, komentoi:
“Secili po luan lojën e vet. Ne jemi bërë si ‘Godot’ i ri për mbretërit turq të lajthive” — duke nënkuptuar se do t’u duhet të presin gjatë, ndoshta edhe kot.
Rënia e prodhimit dhe rritja e çmimeve
Zakonisht, Turqia prodhon 600–700 mijë tonë lajthi në vit, që përfaqësojnë rreth dy të tretat e prodhimit botëror (rreth 1.1 milion tonë). Por në vitin 2025 pritet të prodhojë më pak se 500 mijë tonë, dhe disa ekspertë parashikojnë vetëm 300 mijë. Kjo rënie lidhet me temperaturat e pazakonta të ftohta në rajonin e Detit të Zi dhe me një lloj buburreci aziatik, i quajtur “Sputnik”, që sulmon pemët e lajthisë dhe dëmton frutat. Si pasojë, çmimi i lajthive është dyfishuar, nga 9 mijë në 18 mijë dollarë për ton.
Strategjia e Ferrero-s
Botta mohon që kompania të jetë e detyruar të blejë sërish nga Turqia me çmime të larta: “Për këtë vit kemi rezerva të mjaftueshme; nuk kemi nxitim për t’u furnizuar,” – tha ai për Financial Times. Prej dy dekadash, Ferrero ndjek një politikë diversifikimi të burimeve të lajthive, duke zhvilluar prodhimin e tyre në Kili, SHBA, Serbi dhe Itali. “Kjo na jep mundësinë të menaxhojmë vite si ky,” – përfundoi menaxheri italian.