Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përmendur sërish Kosovën dhe Serbinë.
Pas njoftimit të javës së kaluar ku presidenti Trump kishte listuar marrëveshjen e nënshkruar në Uashington mes Kosovës e Serbisë si një arritje gjatë mandatit të tij të parë, Trump përmendi përsëri Kosovën e Serbinë.
Këtë radhë, Kosova e Serbia u përmendën nga Trump gjatë fjalimit të tij pas samitit të NATO-s në Hagë të Holandës.
Duke folur për një telefonatë që kishte pasur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, Trump tha se javët e fundit është marrë edhe me konflikte të tjera, duke përmendur këtu edhe Kosovën e Serbinë.
“Më telefonoi [Putini] para disa ditësh, më tha: a mund të të ndihmoj me Iranin? I thashë: jo, mund të më ndihmosh me Rusinë. Sepse, e di, në javët e fundit u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Mendoj që të premten po vijnë Kongo dhe Ruanda. Ka pasur një luftë të egër atje”, tha Trump.
Trump kishte paralajmëruar se do ta rregullonte marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë, e cila sipas tij ishte ‘prishur’ nga Bideni.
Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, në shtator të vitit 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik, në praninë e tij.
Kjo marrëveshje, e cila përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar në tërësi.