Negociatorët rusë, ukrainas dhe amerikanë do të zhvillojnë bisedimet e tyre të para trepalëshe në Abu Dhabi të premten, tha një ndihmës i lartë i Kremlinit pasi presidenti rus Vladimir Putin u takua me të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump në Moskë.
Putin foli për gati katër orë me të dërguarin e SHBA-së në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhëndrin e Trump, Jared Kushner, dhe Komisionerin e Shërbimit Federal të Blerjeve, Josh Gruenbaum. Nga pala ruse morën pjesë ndihmësi i Putinit, Yury Ushakov, dhe i dërguari i investimeve, Kirill Dmitriev.
Në një telefonatë me gazetarët, Ushakov i përshëndeti bisedimet si “përmbajtëse, konstruktive dhe jashtëzakonisht të sinqerta”.
Ushakov tha se grupi trepalësh i punës për sigurinë do të takohet për herë të parë në Abu Dhabi më vonë të premten. Ai shtoi se ekipi rus i udhëhequr nga Admirali Igor Kostyukov, kreu i inteligjencës ushtarake GRU, kishte marrë udhëzime nga Putin dhe do të fluturojë për në Emiratet e Bashkuara Arabe në orët në vijim.
Witkoff dhe Dmitriev do të takohen veçmas në Abu Dhabi për të diskutuar tregtinë Rusi-SHBA, tha Ushakov.
Ushakov tha se pala ruse theksoi edhe një herë se paqja midis Moskës dhe Kievit është e pamundur “pa zgjidhur çështjen territoriale”.
“Ne mbetemi të interesuar në zgjidhjen e krizës ukrainase me mjete politike dhe diplomatike. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, Rusia do të vazhdojë të përmbushë qëllimet e saj në fushën e betejës ku trupat ruse kanë iniciativën”, tha ai.
Të enjten, Trump u takua me presidentin ukrainas Volodymyyr Zelensky në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Ai u tha më vonë gazetarëve në bordin e Air Force One se mbetet optimist për ndërmjetësimin e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa pranoi çështjen “e ndërlikuar” të kufijve.
“Kishte raste kur Putini nuk donte të bënte një marrëveshje dhe raste kur Zelensky nuk donte të bënte një marrëveshje. Tani mendoj se të dy duan të bëjnë një marrëveshje”, tha Trump.