SPAK dyshon se dhënia me koncesion për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës është bërë me shkelje ligjore. Pesë muaj pasi kreu i mëparshëm i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani e njoftoi në Kuvend se procedurat e koncesionit ishin në hetim paraprak, pasuesi i tij, drejtuesi aktual i SPAK Klodian Braho ka marrë të pandehurit e parë, në kufijtë e parashkrimit të ndjekjes penale.
Burime për Report Tv kanë konfirmuar se u janë komunikuar zyrtarisht akuzat e shkeljes së barazisë në tendera 3 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që marsin e vitit 2021 shpallën fituesin për koncesionin 35 vjeçar konsorciumin e kompanive Mabco Construction të Behgjet Pacollit, firma turke YDA dhe 2A Group e Valon Ademit.
Duke qenë një vepër penale që ndjekja i parashkruhet pas një afati 5-vjeçar SPAK ka nxituar t’i marrë të pandehur anëtarët e KVO, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur, dhe po vijon hetimet për implikime të zyrtarëve të tjerë të lartë.
SPAK dyshon se me veprimet apo mos veprimet e tyre, nga dhjetori i vitit 2019 kur u shpall për herë të parë koncesioni e deri në mars 2021 kur u mbyll procedura ata kanë favorizuar fituesit e këtij investimi 104.3 milionë eurosh për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës për 35 vite.
Kontrata me fituesit u firmos nga ish ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në prill 2021. Një muaj më pas më 17 maj 2021, “Vlora International Airport” u themelua nga koncorsiumi fitues “Mabco Construction” me 58%, “Yda Group” (40%) dhe “2A Group” (2%).
Por disa muaj më pas, me argumentin se investimi ishte jo rentabël, u largua kompania turke e cila i shiti aksionet Behgjet Pacollit. Kjo lëvizje duket se ishte shkaku i një konflikti që do të lindte më pas mes aksionerëve të mbetur, “Mabco Construction” dhe “2A Group” që aktualisht pretendon deri në 49% të aksioneve për shkak të investimit. Kjo situatë ka nisur një konflikt gjyqësor mes aksionerëve por edhe një proces hetimi në prokurorinë e Tiranës mbi një kredi të marrë nga Pacolli në emër të VIA.
Aktualisht çështja e ndërtimit të aeroportit të Vlorës është kthyer një dosje penale, ndërsa data e hapjes për operim ende nuk dihet edhe pse afatet kanë kaluar.