Këtë të martë Superliga mbyll raundin e 10-të me dy ndeshjet e mbetura. Për momentin AF Elbasani është në krye.
VIDEO/ Huliganizëm dhe stola që ‘fluturojnë’ kokës në Vlorë, tensionet pas ndeshjes Flamurtari 0-1 AF Elbasani
Superliga shqiptare e futbollit është në raundin e 10-të, me të gjitha ndeshjet që nisën me një minutë heshtje në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano i cili u nda nga jeta të premten e kaluar në moshën 73-vjeçare.
Të hënën u zhvilluan tre duele, ndërsa në Vlorë nuk munguan tensionet mes tifozëve pas fitores 0-1 të AF Elbasanit kundër Flamurtarit. Tri pikë edhe për Bylisin, që mposhti në kryeqytet 0-2 Tiranën. Bardheblutë janë në gjendje kritike në fundin e ftohtë të renditjes. Vetëm 0-0 sfida Dinamo – Teuta.
Gjithçka nisi në “Selman Stërmasi”, me Tiranën vendase që u mposht 0-2 nga Bylisi. Arli Përgjoni dhe autogoli i Veras i dhanë tri pikë me peshë ballshiotëve të Mirel Josës brenda në kryeqytet. Tirana ‘siguroi’ humbjen e tretë radhazi dhe e gjen veten në krizë dhe fundin e ftohtë të renditjes me vetëm gjashtë pikë të grumbulluara.
Në Vlorë, vendasit e Flamurtarit u mposhtën 0-1 nga AF Elbasani. Goli i Xhonathan Lajthisë në minutën e 62-të i dha suksesin e plotë djemve të Gvozdenovic, që për momentin e shohin veten në krye të renditjes me 20 pikë.
Në “Elbasan Arena” Dinamo barazoi 0-0 kundër Teutës në një ndeshje të “luftuar”. Te vendasit pati kontenstime për gjykimin.
Superliga e futbollit mbyllet këtë të martë me dy takime që marrin jetë në orën 16:00. Në Rrogozhinë luhet një superndeshje si Egnatia – Vllaznia dhe një fitore për këto skuadër do thoshte kreun e renditjes. Ndërkohë që në ‘Arenën e Demave’ Vora përballet me Partizanin.
Superliga, raundi 10-të:
E hënë, 03 nëntor 2025
14:00 Tirana 0-2 Bylis
17:00 Dinamo 0-0 Teuta
17:00 Flamurtari 0-1 AF Elbasani
E martë, 04 nëntor 2025 – 16:00
Egnatia – Vllaznia
Vora – Partizani