Agjencia e Menaxhimit Emergjent thotë se sipas raporteve të pranuara, në disa vende ka pasur vërshime të intensitetit të ulët.
“Nga të dhënat e pranuara nga Qendrat Operative Emergjente Regjionale 112, situata në nivel vendi paraqitet si në vijim: Janë raportuar vërshime të intensitetit të ulët si: Prishtinë: Lagjja Kodra e Trimave, Lagjja Arbëri, si dhe zona afër Stacionit të Autobusëve. Fushë Kosovë: Lagjja Kolonia. Gjilan: Fshatrat Velikincë, Cërnicë, Livoq dhe Zheger.Ferizaj: Fshatrat Gaçkë dhe Rakaj.Kamenicë: Fshati Koretinë, lagjja Qameria (qytet) dhe fshati Roganë.Novobërdë: Fshatrat Pasjak dhe Llabjan.Junik: Lagjja Miroci”, thuhet në njoftim.
AME thotë se nga vlerësimi i situatës, gjendja paraqitet e menaxhueshme dhe nën kontroll.
“Agjencia e Menaxhimit Emergjent, përmes qendrave operative rajonale 112, Njësit Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, është në koordinim të vazhdueshëm për t’iu përgjigjur çdo nevoje dhe kërkese nga nivel lokal”, theksohet tutje.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent po ashtu ka bërë të ditur se është ngritur niveli i gatishmërisë për ekipin e kërkim shpëtimit në ujërat sipërfaqësore, ekipin e barrierave, ekipin e pompimit me kapacitet të lartë.
Vërshimet, Komuna e Prishtinës aktivizon Shtabin Emergjent
Komuna e Prishtinës aktivizuar Shtabin Emergjent pas paralajmërimeve për vërshimeve.
“Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, reshjeve të dendura të shiut dhe situatës së rënduar në qarkullimin rrugor, Kryeqyteti ka aktivizuar Shtabin Emergjent me qëllim të menaxhimit të situatës dhe garantimin e sigurisë publike.”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.
Kjo drejtori ka bërë apel për qytetarët që shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.
“Çdo rast emergjent ju lutemi raportoni në Qendrën Operative Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 122 33 0800 122 44”, përfundon njoftimi./21Media
Komuna e Ferizajt me paralajmërim për vërshime
Komuna e Ferizajt ka njoftuar qytetarët për rrezik të shtuar nga vërshimet pas reshjeve të dendura të shiut.
“Në bazë të situatës së fundit meteorologjike dhe reshjeve të dendura që kanë përfshirë rajonin, njoftohen qytetarët se ekziston rrezik i shtuar për paraqitjen e vërshimeve në disa zona.
Kërkohet nga qytetarët që:
• Të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht pranë rrjedhave ujore, kanaleve dhe zonave ku ka grumbullim uji;
• Të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me rrezik të lartë;
• Të raportojnë çdo situatë të mundshme emergjente në numrat 192 dhe 193.”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajit.
Bëhet e ditur se ekipet emergjente dhe Policia janë të angazhuara në terren dhe po monitorojnë gjendjen në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim të sigurimit të një reagimi të shpejtë dhe efektiv./21Media
KRU “Prishtina” apel qytetarëve: Mos i hapni pusetat e kanalizimit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, u ka bërë apel qytetarëve të mos i hapin pusetat e kanalizimit, pas paralajmërimeve nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për vërshime.
“Përgjatë reshjeve të dendura, ndalohet rreptësisht hapja e pusetave të kanalizimit në mënyrë që ujërat e shiut të depërtojnë brenda në kanalizim, me ç’rast uji mund të depërtojë në shtëpitë tuaja”, thuhet në thirrjen e KRU-së.
Në apel thuhet se linjat e kanalizimit (ujërat fekale) në qytetin e Prishtinës janë në gjysmën e tyre linja të vjetra, të cilat janë dimensionuar dhe vendosur shumë kohë më përpara.
KRU po ashtu thotë se sistemet e kanalizimeve janë të përbashkëta (atmosferike dhe fekale) dhe kjo e rëndon dukshëm gjendjen e funksionimit në rastet kur ka reshje të vrullshme apo të shumta shiu.
Në apel theksohet nevoja për t’i ndarë ato.
“Përderisa qyteti i Prishtinës pothuajse në çdo lagje ka pësuar ndryshime në ndërtime të larta – objekte banesore – rritje e tejskajshme e numrit të banorëve, aty ku janë të përbashkëta, duhet ndarë”, thuhet tutje në thirrjen e KRU-së.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër për shkak të reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës./21Media
Komuna e Prishtinës anulon procesin mësimor për shkak të motit
Komuna Prishtinës ka anuluar për sot procesin mësimor për shkak të rrezikut për vërshime.
Kjo u bë e ditur nga Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini.
Ai përmes një postimi në Facebook tha , ky vendim erdhi në koordinim me kryetarin Përparim Rama, Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, si dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
“Të nderuar qytetarë, drejtues të institucioneve edukativo-arsimore dhe të nderuar prindër. Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet”, njoftoi Shahini./21Media
Paralajmërimi për reshje shiu, AME: Kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar reshje të dendura të shiut në datat 18-19 nëntor.
Lidhur me këtë paralajmërim, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook ka reaguar Agjencia e Menaxhimit Emergjent, duke thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante.
”Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në mandatin dhe misionin e saj, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante. Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112.” thuhet në njoftimin e AME-së.