Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani në konferencën e sotme për media, duke i cilësuar ato si retorikë akuzuese dhe nxitëse, e që sipas AGK-së, rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar edhe këtë të enjte me deklarata thellësisht të papërgjegjshme për postin që mban, duke lidhur ‘disa gazetarë’ me ‘Radojçiqët’ dhe me ‘grusht-shtet'”, thuhet në reagim.
AGK-ja ka bërë thirrje ndaj organeve të sigurisë të deklarohen për deklaratat e Osmanit, duke thënë se “ato shërbejnë si intimidim i hapur ndaj gazetarëve, në përpjekje për të ndaluar punën e tyre për të bërë pyetje në interes të publikut”.
“Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akzuat ‘për disa gazetarë’, për të cilat AGK mendon se vënë në pikpëyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e këtij asociacioni.