Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që përfaqëson mbi 700 gazetarë në Kosovë, i drejtohet publikisht me këtë kërkesë Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, me rastin e vizitës së tij në Kosovë.
AGK-ja kërkon nga zoti Costa që, në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të diskutojë nevojën për respektimin e lirisë së medias dhe të shprehjes nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.
“Kosova ka shënuar një rënie dramatike të lirisë së medias në vitet e fundit, e dokumentuar nga raporte ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vizitën në mars të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës.
“Tarifë 10 euro për hyrje në Prishtinë”, Pacolli-Sveçlës: VV po mashtron, u votua veç dërgimi në diskutim publik – ishin…
Qeveria e zotit Kurti dhe partia e tij politike, Vetëvendosje, janë angazhuar në fushata të vazhdueshme denigrimi kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave për shkak të punës së tyre. Kjo e ka bërë klimën e të bërit gazetari në Kosovë më të rëndën në vitet e fundit”, thuhet në njoftim.
“Institucione që do të duhej të ishin të pavarura, si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës, janë vënë nën ndikim të drejtpërdrejtë politik nga Qeveria, nëpërmjet emërimit të bordeve në procese të komprometuara.
AGK-ja shpreson që zoti Costa do t’ia rikujtojë kryeministrit Kurti se respektimi i lirisë së medias është kyç në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilin e aspiron shumica dërrmuese e popullit të Kosovës.
Gazetarët dhe mediat në Kosovë vazhdojnë të bëjnë një punë jetike në ofrimin e informacionit në interes të publikut, duke luajtur rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e një vlere themelore të demokracisë evropiane”, thuhet tutje në njoftimin e AGK-së.