Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë ekskluzive në “Jehona Politike” në Klan Kosova ka thënë se Marrëveshja e Ohrit është seriozisht e rrezikuar.
Sipas Ahmetit, VMRO-ja është përgatitur që t’i vënë, siç e quajti ai, gozhda arkivoli kësaj marrëveshjeje, teksa përmendi se Gjykata Kushtetuese në vitin e kaluar mori iniciativë që të hiqet nga përdorimi Ligji i gjuhës shqipe.
“Marrëveshja e Ohrit është seriozisht e rrezikuar. Këta janë përgatitur t’i vënë gozhda të arkivolit. Gjykata Kushtetuese mori iniciativë në material të përgatitur 72 faqësh në dhjetor të vitit të kaluar që të hiqet Ligji i gjuhës shqipe nga përdorimi dhe të mbetet gjuha shqipe në nivel komunal, lokal dhe të flasim ne në shtëpi lirshëm”, tha Ahmeti, njofton Klankosova.tv
Sipas Ahmetit, VMRO zgjodhi rrugën nacionaliste ku doli me platformën “Sërish Maqedonia e jotja”, që sipas tij, do të thotë që ta kthejnë sërish Maqedoninë e Veriut tek maqedonasit dhe të përjashtohen shqiptarët dhe komunitetet e tjera.
“Doli me kërkesën që të hapet një plagë e mbyllur, sërish Tribunali i Hagës për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke filluar që nga unë, shtabi i përgjithshëm dhe të tjerët. Mua nuk më ka frikësuar dhe nuk më frikëson”.
Ai mes tjerash foli në detaje rreth çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe atje.
“VMRNO-ja zgjodhi rrugën nacionaliste, doli me platformë sërish “Maqedonia e jotja”, ta kthejë Maqedoninë të maqedonasit, të përjashtohen shqiptarët dhe komunitetet e tjera, doli me kërkesën që të hapet një plagë e mbyllur, sërish Tribunali i Hagës për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke filluar që nga unë”.
“Atëherë ne dolëm në protestë tepër të kontrolluar sepse frikësoheshim të mos na dalë jashtë kontrollit sepse emocionet ishin shumë të larta te popullata. Tre ditë protestuam me tenda përpara para Gjykatës Kushtetuese, tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese u tërhoqën, nuk arritën të marrin pjesë në seancë, e shtynë seancën për një ditë tjetër. Ky rrezik është akoma evident”, shtoi ai, njofton Klankosova.tv.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar gjithasgtz se akuzohet për përpjekje në krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Ahmeti tha se kishte pasur mundësinë të nënshkruante një dokument që ishte kundër ideve për një Maqedoni të Veriut multietnike, duke përmendur edhe Lupço Georgievskin, ish-kryeministrin e këtij shteti.
“Unë kam jetuar në Zvicër dhe e di si funksionon një shtet me katër kombe. Pse të mos funksionojë edhe Maqedonia e Veriut? Që nga viti 2001 kam thënë se ky shtet mund të bëhet Zvicra e Ballkanit Perëndimor.”
“Assesi nuk jam penduar. Unë jam për një Maqedoni unike, për një Maqedoni ku të gjithë popujt janë të barabartë. Jam për një Maqedoni anëtare të Bashkimit Evropian. Jam për heqjen e kufijve,” u shpreh Ahmeti.