Deputetët e rinj kanë nisur të marrin ‘leksionet’ e para në Akademinë Politike të partisë. Punimet u çelën dje nga kryeministri Rama para festës së djeshme për 34-vjetorin e PS. Lektorë sot janë Xhafaj, Peleshi dhe Braçe.
Në ambientet e selisë së PS, po mbahet Akademia Politike, ku do të trajnohen deputetët e zgjedhur të 11 majit. 54 janë deputetët e rinj, por vetëm 39 prej tyre që nuk janë ulur më parë në poste të nivelit të ministrave, zv/ministrave apo kryetarëve të bashkive do të ulen në “bankat” e kësaj shkolle verore.
Kryeministri Edi Rama ishte ai që çeli punimet e Akademisë ditën e djeshme para festës për 34-vjetorin e krijimit të partisë. Deputetët e morin leksionin e parë prej tij në ambientet e COD në kryeministri.
Ndërkohë, sot është Fatmir Xhafaj ai që po iu jep ‘leksione’ deputetëve të rinj për “Rolin e Deputetit dhe Etikën e Përfaqësimit”. Pas Xhafajt, do të vijojë Niko Peleshi, i cili do të trajtojë temën “Roli i Kryetarit të Grupit Parlamentar” dhe do të fokusohet tek sfidat e komunikimit dhe koordinimit brenda grupit të deputetëve.
Lektori i tretë për sot do të jetë Erion Braçe, i cili trajnimin e tij do ta mbajë pasdite. Braçe do të fokusohet tek kontakti që deputetët duhet të mbajnë me zonën që përfaqësojnë. Leksionet do të zgjasin nga 90 minuta me secilin prej lektorëve.
Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si Neomalësorja, tha për mediat: “Është akademi dhe kënaqësi që do të marr pjesë”.
Deputeti Fatmir Xhafaj, teksa mbërriti në seli, iu përgjigj gazetarëve teksa tha se është kënaqësi që do të takohet me kolegët e rinj, me të cilët do të ndajë seancat parlamentare për 4 vitet e ardhshme.
“Nuk do të bëj mësim, nuk janë nxënës por kolegët të mi dhe siç ndodh në çdo punë tjetër, dikush që ka një eksperiencë mundohet t’ua transmetojë kolegëve. Kënaqësi që të takoj kolegët e mi që do të ndaj 4 vite në seanca parlamentare.”
“Kursi” i deputetëve do të jetë intensiv çdo fundjavë deri në fund të muajit korrik, me gardën e vjetër të socialistëve që ndër vite kanë mbajtur pozicione drejtuese në Kuvendin e Shqipërisë dhe të grupit socialist.
Hap ‘dyert’ Akademia Politike e PS, Rama mbajti leksionin e parë hyrës para festës së përvjetorit të partisë (VIDEO)