Grupi i këshilltarëve të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) Tetovë, ka reaguar përmes një konference për media të mbajtur para Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve në Tetovë, duke akuzuar komunën për tentim të tjetërsimit të pronës publike përmes një projekti të propozuar të partneritetit publiko-privat.
Sipas AKI-së, bëhet fjalë për parcelën ku ndodhet stacioni i zjarrfikësve në Tetovë, me sipërfaqe prej 6.768 metrash katrorë. Nga kjo parti pretendojnë se, në kuadër të propozimit, komuna do të vinte në dispozicion pronën publike dhe njëkohësisht do të paguante edhe 7,77 milionë euro, ndërsa partneri privat do të përfitonte 40 për qind të kompleksit.
AKI e ka kundërshtuar këtë propozim, duke kërkuar tërheqjen e tij të menjëhershme dhe duke ngritur shqetësime për mënyrën se si planifikohet shfrytëzimi i pronës publike.
“Po tentohet vjedhja e radhës e pronës publike.
Parcela e stacionit të zjarrfikësve në Tetovë, me sipërfaqe prej 6.768 m²!
👉Nën maskën e partneritetit publiko-privat, Komuna do të jepte pronën dhe do të paguante edhe 7,77 milionë euro, ndërsa privati do të mbante 40% të kompleksit.
Kërkojmë tërheqjen urgjente të këtij propozimi skandaloz!”