Prej tre ditësh po vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në zonën mes Patosit dhe Mallakastrës. Gazetarët e Report Tv, Kristaq Thano dhe Marsela Topi, informojnë se vazhdon aktive zjarri në Lofkend, ku është duke u punuar me intensitet nga zjarrfikësit me pompa shpine, pasi terreni i vështirë pengon për të depërtuar në pyllin e dendur. Zjarr pati edhe në Drenie, kurse dëmi në bimësi e pyje është i madh.
Sipas përgjegjësit të sektorit të mbrojtjes civile pranë Prefekturës Fier, Kreshnik Ymeraj gjatë ditës së sotme po operohet me 5 mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të MZSh- së, 25 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 25 efektivë të strukturave bashkiake, të cilët po operojnë në një terren tepër të vështirë, ndërsa pritet sërish ndërhyrje nga ajri për neutralizimin e plotë të vatrës masive të zjarrit. Ymeraj ka pohuar gjithashtu se sipërfaqja e përshkruar nga zjarri deri tani përllogaritet 30-35 ha.
I pranishëm për të ndjekur operacionin nga toka dhe ajri ishte pasditen e djeshme edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, që kërkoi prioritet jetën e njerëzve dhe bimësinë. Ndërhyrje u kryen nga ajri me helikopter, që normalizuan situatën duke shmangur rrezikimin e zonave të banuara nga flakët.
Vijon vatra e fuqishme e zjarrit edhe në Dhivër të Finiqit, duke kërcënuar disa fshatra dhe banesa, teksa ka shkrumbuar sipërfaqe me pemëtari, bimësi dhe kullota. Orët e natës kanë qenë kritike, pasi flakët kanë rrezikuar shtëpitë, por edhe përhapjen drejt fshatit Memoraq.
Zjarri vijon ditën e sotme drejt fshatit Navarricë, ku rrezikohet djegia e parcelave me ullinj. Gjithashtu për të katërtën ditë, rrezikon përhapje edhe drejt fshatrave Leshnicë dhe Dhrovjan të bashkisë Finiq.
Banorët e Dhivrit, Kularat, Cerkovicë, Shën Ndre dhe Janicat shprehen se kanë pësuar dëme të konsiderueshme në ullinj dhe pemë.
Zjarr ka pasur mbrëmë edhe në Kryeluzaj të Kavajës, ku u dogjën sipërfaqe me tokë dhe pemë frutore. Falë veprimeve të shpejta hetimore u lokalizua dhe arrestua i dyshuari Gentian Blloshmi, 47 vjeç, banues në Kavajë. Sipas policisë, teksa po digjte mbeturinat në tokën e tij, i ka vënë flakën një sipërfaqe të gjerë me pemë e bimësi.
Zjarrfikësit lokalizuan edhe vatrën e zjarrit në fushën e mbetjeve në Vlorë, ku për të disatën herë i vihet flaka në mënyrë të qëllimshme. Nga zjarri u dëmtua edhe një nga eskavatorët që punonin për zhvendosjen e mbetjeve. Një punonjës u asfiksua teksa përpiqej të shuante zjarrin në mjet.
Policia, Zjarrfikësit dhe bashkia qëndruan në gatishmëri, teksa me disa mjete të rënda si traktorë dhe eskavatorë, u hodhën masive dheu mbi vatrën e zjarrit, duke e çuar drejt shuarjes. Po monitorohet situata që të mos ketë riaktivizim, kurse policia paraprakisht e deklaron këtë rast si aksidental, ndryshe nga të mëparshmit.
Ndërkohë, zjarri në zonën e Poliçanit në Berat është fikur plotësisht dhe situata është nën kontroll. Në aksionin për shuarjen e flakëve që nisën në territorin e uzinës së armëve dhe më pas në pyll, morën pjesë prej të mërkurës 7 automjete zjarrfikëse, 40 efektivë të MZSH nga Poliçani, Berati dhe Skrapari, 20 forca bashkiake si dhe 1 automjet zjarrfikës me ekipin nga FA. Policia identifikoi autorin e zjarrvënies në territorin e Uzinës së Poliçanit. Ai është një 63-vjeçar, banor i zonës, person me probleme të shëndetit mendor.
Një vatër u shfaq mbrëmjen e djeshme në fshatin Vjollcë (Malaj) të Mirditës, në qarkun Lezhë. Për shkak të erës flakët përparuan në pyllim me pisha, duke djegur sipërfaqe të tëra. Ndërhyrja ishte e vështirë për shkak të terrenit të thepisur dhe u kërkua mbështetje, ndërsa operacioni për shuarjen vijon dhe sot.
Edhe Ministria e Mbrojtjes bëri bilancin ditën e sotme të zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se u shënuan 19 vatra, nga të cilat 3 janë ende aktive: në Dhivër të Finiqit, në Malaj të Mirditës dhe Lofkend të Mallakastrës.
Në terren dhe nga ajri janë në operacion rreth 500 forca dhe 40 mjete, përfshi edhe 2 avionë suedezë të Mekanizmit të Mbrojtjes Europiane.
Zjarret në vend/ Avioni kroat ndërhyn për shuarjen e vatrave në Lofkënd, në Finiq vijojnë aksionin ata suedezët
Në Mallakastër e Finiq vijon puna për shuarjen e zjarrit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu përmes një njoftimi në rrjetet sociale bën me dije se për neutralizimin e flakëve në fshatin Lofkënd ka ndërhyrë avion Canadair i Forcës Ajrore kroate.
Ndërkohë në Finiq që prej orëve të mëngjesit shërbimit zjarrfikës i janë bashkuar dy avionë suedezë dhe një helikopter i Forca Ajrore.
Njoftimi i plotë:
Në Finiq dhe Mallakastër është intensifikuar puna nga toka dhe ajri për të frenuar përhapjen e vatrave dhe në mbrojtje të zonave të banuara.
Në Finiq, ku intensiteti i erës ndikoi në riaktivizim dhe përhapje të vatrave gjatë natës, 120 forcave operacionale në terren u janë bashkuar që prej orëve të mëngjesit dy avionet suedezë të siguruar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile Civil Protection & Humanitarian Aid dhe një helikopter i Forca Ajrore.
Falë ndërhyrjes së kombinuar nga toka dhe ajri janë mbrojtur banesat dhe është krijuar perimetër sigurie në Dhivër dhe Janicat.
Të gjitha përpjekjet tashmë të angazhuara në frenimin e vatrave dhe mbrojtjen e banesave në perimetrin Navaricë – Memoraq dhe Rumanxë, dhe vigjilencë të shtuar në zonën e Leshnicës.
Në Mallakastër ku situata është përmirësuar gjatë orëve të fundit, momentalisht po veprojnë 25 forca nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, 25 forca nga MZSH dhe 24 forca nga bashkitë Mallakastër dhe Patos.
Në këtë zonë po vepron aktualisht dhe në avion Canadair i Forcës Ajrore kroate.
Ndërkohë në lartësitë e Bërzhitës, ku dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme, forcat e MZSHTiranë. ndodhen në terren dhe momentalisht nuk ka asnjë rrezik për banesat.
Situata në rang vendi mbetet dinamike ndërkohë që presim rritje të termometrit në ditët në vijim.
U bëjmë thirrje banorëve të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve në terren. Ligji do të veprojë me forcën maksimale ndaj çdo zjarrvënësi.
Vatrat e zjarrit në Mallakastër, kryebashkiaku Ismailaj: Vetëm ndërhyrja nga ajri i izolon flakët, s’ka rrezik për banorët! 40 ha me pisha të djegura (VIDEO)
Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në masivin pyjor të Lofkëndit në Mallakastër, ku terreni i vështirë pamundëson ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.
Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj, pohon se përballë kësaj situate vetëm ndërhyrja nga ajri mund të bëjë të mundur izolimin e plotë të flakëve, të cilat përhapen me shpejtësi të favorizuara nga era.
Qerimaj pohon gjithashtu se në këtë ditë të tretë të përballjes me flakët, në terren janë angazhuar 11 mjete zjarrfikëse dhe rreth 130 forca zjarrfikëse, të ushtrisë dhe strukturave bashkiake, ndërsa thekson se sipërfaqja e përshkuar nga zjarri përllogaritet në 40 ha, kryesisht pisha të mbjella në vitet 70-80-të.
“Situata mund të themi se është nën kontroll fal edhe ndërhyrjes së strukturave vendore dhe qendrore. Kemi pasur angazhim maksimal me 11 mjete nga disa bashki dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përfshi 110 forca, mes tyre edhe të ushtrisë. Sot në mëngjes u bë evidentimi i vatrave të reja të zjarrit dhe presim ndërhyrjen nga ajri me avionë. Janë 3 vatra aktive aktualisht, që kërkojnë ndërhyrje nga ajri sepse terreni dhe era që favorizon zjarrin e vështirëson këtë ndërhyrje nga toka. Verifikimi i dëmeve do bëhet nga specialistët. E rëndësishme është sigurimi i banorëve dhe shtëpive. U bë shmangia e kalimit të zjarrit në një zonë të banuar që do ishte shumë problematike. Në pemë frutore nuk ka dëme të mëdha, janë të pakëta, kryesisht janë pisha dhe shkurre”, tha Ismailaj mes të tjerash për Report Tv.
Po sipas tij, menjëherë pas neutralizimit të plotë të zjarrit, komisionet e verifikimit do të dalin në terren për të bërë një bilanc të dëmeve, jo vetëm të pemëve frutore, por edhe të masivit pyjor.
Ushtarë e zjarrfikës nga toka, helikopterë dhe avionë nga ajri! Lufta me flakët në Dhivër të Finiqit
Këto janë pamjet që Report Tv ka siguruar nga përmasat e zjarreve në Dhivër të Finiqit, që po vijojnë prej katër ditësh dhe po rrezikojnë disa fshatra.
Operacioni po vijon në të dy frontet, me ushtarë e zjarrfikës nga toka dhe me helikopterë dhe avionë Canadair apo të Mekanizmit Europian nga ajri, informon gazetari Limos Didani.
Sasi të mëdha uji derdhen nga zjarrfikësit në terren dhe mjetet fluturuese nga ajro, teksa shihet se vatra e zjarrit është gjigante dhe ka përfshirë një territor të madh me pyll, kullotë, bimësi dhe pemëtari.
Të paktën 4 mjete fluturuese kryejnë misione nga qielli dhe mbi 100 forca nga toka me disa mjete mbështetëse.
Finiq/ Vijon zjarri i fuqishëm në Dhivër, rrezikon disa fshatra dhe banesa! Ndërhyrje nga ajri edhe me avionë ‘Canadair’ e nga Suedia
Sarandë- Zjarri në zonën e Dhivrit ka vazhduar përgjatë natës dhe ditës së sotme.
Orët e natës kanë qenë kritike, pasi flakët kanë rrezikuar shtëpitë, por edhe përhapjen drejt fshatit Memoraq.
Fatmirësisht ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë efikase dhe është arritur të mbrohen shtëpitë.
Gazetari i report Tv, Limos Didani, ka siguruar edhe pamjet e aksionit nga toka dhe ajri me helikopterë, për të shuar vatrën.
Zjarri vijon ditën e sotme drejt fshatit Navarricë, ku rrezikohet djegia e parcelave me ullinj në këtë fshat. Për fikjen e zjarrit përveç zjarrfikësve dhe forcave të ushtrisë, po ndihmon edhe 1 helikopter.
Gjithashtu mbërritën për ndihmë nga ajri 1 avion ‘Canadair’ dhe dy suedezë të mekanizmit Europian të Mbrojtjes, që hodhën ujë mbi vatrat e zjarrit.
Zjarri i cili vazhdon për të katërtën ditë, rrezikon përhapje edhe drejt fshatrave Leshnicë dhe Dhrovjan të bashkisë Finiq. Bashkia Finiq këtë verë është goditur nga 2 zjarre të fuqishme: zjarri që nisi në Malçan dhe zjarri aktual në Dhivër.