Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1. FESTIVALI I XHAZIT NË SHKODËR NË EDICIONIN E 16-TË
Shkodra vijon të mbajë deri në 31 gusht edicionin e 16-të i “Shkodra Jazz Festival”. Programi i këtij viti përfshin një sërë koncertesh dhe masterklasash të ndara në kategori të ndryshme.
2. “STAR CAMPERS”, VËSHTRONI GALAKTIKAT NË RRUGËN EGNATIA
Një kamping i veçantë po mbahet në rrugën Egnatia në Librazhd prej mbrëmjes së të hënës, këtë të martë dhe të mërkurën. “Star Campers” ofron një përvojë të veçantë, ku mund të flini nën yje, të dëgjoni muzikë rreth zjarrit dhe të vështroni galaktikat nga teleskopi.
3. ANSAMBLI I KËNGËVE E VALLEVE VIJON TURIN NË FIER E LAÇ
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore vijon turin e tij në qytete të ndryshme të vendit. Sonte ai do të ndalet në Fier, ndërsa mbrëmjen e nesërme në qytetin e Laçit.
4. SHPAT DEDA, MUZIKË LIVE NË “YOUTH WAVE” NË SHIROKË
Festivali “Youth Wave” vjen në Shirokë mbrëmjen e sotme në orën 19:00, duke sjellë për të pranishmit muzikë ‘live’ nga Shpat Deda.
5. “TULLA VISUAL ART LAB”, EKSPOZITA ME PUNË TË FËMIJËVE
Në qendrën kulturore “Tulla” vijon të qëndrojë e hapur deri më 15 gusht ekspozita me punimet e krijuara gjatë edicionit të 3-të të punëtorisë për fëmijë “Tulla Visual Art Lab” e udhëhequr nga mësuesja e artit Dardane Hadri.
6. “MICRO-FOLIE TIRANA”, MUZE DIGJITAL TE PARKU “EUROPA”
Një muze digjital unik, ku arti, teknologjia dhe kultura bashkohen për të sjellë një eksperiencë interaktive për të gjitha moshat. “Micro-Folie Tirana” është zhvendosur prej 6 gushtit e deri në 16 gusht nga ora 20:00-21:30 në Parkun “Evropa” në Tiranë.