Arrestohet nga AMP një efektiv i komisariatit të policisë Krujë.
Bëhet fjalë për efektivin Elson Leka, i cili është arrestuar për kultivim kanabisi dhe armëmbajtje pa leje.
NJOFTIMI I AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë E. L., me detyrë Trupë shërbimi / Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Fushë – Krujë i dyshuar për kryerjen e veprave penale “ Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Arrestimi i tij u bë i mundur në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëpunimi”, ku nga hetimet proaktive me metoda speciale dyshohet se pununonjësi i policisë në bashkëpunim me vëllain e tij Ç. L., (i shpallur në kërkim), rreth orës 11:30 kanë qenë të pranishëm në një zonë pyjore në Njësinë Administrative Cudhi, Krujë, ku janë konstatuar parcela me 65 bimë narkotike të dyshuar “Cannabis Sattiva”. Pasi kanë konstatuar praninë e policisë janë larguar për ti shpëtuar kapjes.
Nga kontrolli fizik iu gjetën dy armë zjarri tip pistoletë të markës “TT” dhe një sasi fishekë. Gjatë kontrollit të banesës gjithashtu u gjet një sasi tjetër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.