Partizani është në fazën më delikate dhe duhet të bëjë një sforco të madhe për të shpëtuar një sezon që nisi mirë, por u “ngatërrua” rrugës. Aktualisht, të kuqtë po mbajnë vendin e katërt në renditje, që të çon në finalet e titullit kampion, teksa kanë fituar edhe ndeshjen e gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë kundër Egnatias dhe të kthimit e luajnë në shtëpi javën e ardhshme.
Pavarësisht se situata është në favor dhe të kuqtë kanë gjithçka në dorën e vet, vështirësia mbetet dhe Gega ia ka nevojën çdo lojtari.
ZEKA – Por Agim Zeka nuk do të ketë mundësinë të japë kontributin e tij në këtë fund të sezonit. Sulmuesi pësoi një dëmtim në ndeshjen e fundit kundër Egnatias në kampionat dhe iu desh të linte fushën e blertë pa u plotësuar çerek ore lojë. Në kampin e kuq tentuan ta rikthenin në lojë, por qe e pamundur. Pas ndeshjes, dyshimet për specifikën dhe shkallën e dëmtimit kanë qenë të shumta, por pas ekzaminimeve gjithçka është qartësuar.
Zeka ka rezultuar me një tërheqje muskulore që do të kërkojë afro një muaj kohë për t’u rikuperuar, çka do të thotë se lojtari nga Prishtina e ka mbyllur sezonin dhe nuk do të mund të kontribuojë për Partizanin në këto ndeshje të mbetura. Gjithsesi, për sulmuesin kjo është gjysma e së keqes, pasi dhimbjet e shumta krijonin dyshime edhe të ndonjë problemi me ligamentet e gjurit. Në fund, gjithçka është qetësuar, por fatura mbetet e lartë, pasi nuk do të mund të luajë në fazën më të rëndësishme të sezonit. Finalja e Kupës dhe “Final 4” luhen në dy javët e para të majit dhe Zeka nuk do të jetë i gatshëm, nëse Partizani kualifikohet.
DOMGJONI – “Dëm kolateral” në fitoren kundër Egnatias rezultoi të ishte edhe David Domgjoni, i cili fatmirësisht nuk ka diçka të rëndë dhe pritet të kthehet në harkun e disa ditëve. Prizrenasi po përpiqet të jetë gati që me Bylisin, megjithëse misioni duket i vështirë për shkak të rrezikut të një përshkallëzimi të dëmtimit.
KEKO – Në sfidën me Bylisin ka njëfarë alarmi sa i përket sulmit, pasi, përveç Zekës, që është dëmtuar dhe ka mbyllur sezonin, në sfidën e ardhshme nuk do të jetë i gatshëm as Keko, i cili u ndëshkua me karton të verdhë kundër Egnatias dhe plotësoi numrin 4 të tyre, çka e pezullon në ndeshjen e radhës.
FORMACIONI – Nisur nga dy mungesat e pritshme, formacioni i Gegës për transfertën e ardhshme kundër Bylisit pritet të pësojë disa ndryshime, por duke e ruajtur bazën që kishte në ndeshjen e fundit kundër Egnatias, ku skuadra nuk shkëlqeu, por fitoi, ashtu si edhe në gjysmëfinalen e Kupës. Trajneri Gega ka nisur punën për përgatitjet e betejës në Ballsh, mjaft e vështirë, pasi skuadra e Mezanit lufton për mbijetesën dhe do të kërkojë maksimumin.