Forcat ajrore gjermane njoftuan se të dielën në mëngjes kanë dërguar dy avionë Eurofighter për të interceptuar një aparat ushtarak rus IL-20M, i cili kishte hyrë në hapësirën ajrore neutrale mbi Detin Baltik, përpara se ta dorëzonin eskortën partnerëve të NATO-s nga Suedia, transmeton Reuters.
“Përsëri, forca jonë e reagimit të shpejtë, e përbërë nga dy Eurofighter, u aktivizua nga NATO për të hetuar një aeroplan të paidentifikuar, pa plan fluturimi dhe pa kontakt radio, që ndodhej në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Ishte një avion rus i zbulimit IL-20M. Pas identifikimit vizual, ia dorëzuam eskortën partnerëve tanë të NATO-s në Suedi dhe u kthyem në bazën Rostock-Laage”, thuhet në një komunikatë të Luftwaffe.
Ndërkohë, Këshilli i Atlantikut të Veriut i NATO-s pritet të mblidhet të martën për të diskutuar në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia, kanë deklaruar për Reuters dy zyrtarë të njohur me situatën.
Autoritetet në Talin kanë akuzuar se tre avionë rusë MiG-31 kanë hyrë të premten në hapësirën ajrore estoneze pa leje dhe kanë qëndruar për 12 minuta, përpara se të detyroheshin të tërhiqeshin.