Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të mandatit, ia ka dorëzuar zyrtarisht detyrën kryeparlamentares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu. Kjo e fundit do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit nga Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri, afat i caktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili e shpalli të pavlefshëm një dekret të Osmanit për të shpërndarë Kuvendin.
“Ju dëshiroj shumë suksese përgjatë kohës që ju do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës. Nuk do të jetë punë e lehtë, edhe unë i kam provuar të dyja pozitat në vitin 2020 dhe një periudhë në vitin 2021, pra të jem edhe kryetare e Kuvendit edhe ushtruese e detyrës së presidentes. Sado që të dyja detyrat kanë sfidat e veta, të jesh kreu i shtetit, njëkohësisht të udhëheqësh politikën e jashtme të vendit dhe ushtrinë e vendit e shumë detyra të tjera, duke filluar nga përfaqësimi i unitetit të popullit janë përgjegjësi e jashtëzakonshme në cilat ju dëshirojmë shumë sukses e shëndet në ditët në vijim”, tha presidentja Osmani gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të pozitës së detyrës së presidentes.
Ajo tutje tha se shpreson shumë që Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më parë që të jetë e mundur do ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re, me shpresën që, siç tha, të kemi stabilitet institucional në një kohë kur jo vetëm shteti ynë dhe rajoni ynë, por e gjithë bota po kalon krizat mëdha.
“Kur unë kam ardhur në këtë zyrë në nëntor të vitit 2020, në fakt kanë qenë rrethana të jashtëzakonshme, siç e dini, kurse sot po ju lëmë pas një punë të jashtëzakonshme. Do të kemi mundësinë për gjatë takimit të diskutojmë për shumë procese që kanë filluar e përfunduar me sukses, por edhe për shumë procese që kanë filluar e shpresoj që ju t’i vazhdoni sa jeni këtu edhe kushdo që do të vijë pas jush”, i tha tutje Osmani kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga sonte në orën 24:00, do ta ushtrojë edhe detyrën e presidentes së vendit.
Presidentja Osmani tha se ajo dhe stafi i saj do të jenë në dispozicion të plotë të ushtrueses së detyrës së presidentes për çkado që ajo dhe shteti kanë nevojë.
“E kemi këtu një numër të folderave, vetëm 1 për qind të punës sa për të filluar, që mbulojnë edhe politikën e jashtme edhe pjesën e drejtësisë, edhe të mbrojtjes dhe të fushave të tjera. Por, çka është me rëndësi, ne do të jemi në dispozicionin tuaj të plotë unë dhe stafi, çdo ditë 24/7 për çka do që duhet për këtë shtet, për çdo informacion, për çdo mbështetje që ka nevojë vendi ynë, sepse angazhimi për shtetin asnjëherë nuk është lidhur me pozitat që i mbajmë, asnjëherë në këto më shumë se dy dekada që jam në institucione publike dhe nuk do të jetë edhe tash. Kështu që për çka do që keni nevojë jemi vetëm një thirrje larg”, tha Osmani.
Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar se gjatë ushtrimit të detyrës si presidente e vendit do të veprojë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
“Faleminderit shumë për gjithë punën dhe për angazhimin pesëvjeçar në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të vendit tonë. Për Kosovën është shumë e rëndësishme që në krye të institucioneve të ketë njerëz që kanë integritet të lartë, moral profesional dhe në secilin vendim që e marrin e kanë parasysh shtetin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu teksa pranoi detyrën nga Osmani.
Ajo ka thënë se rrethanat kushtetuese tani imponojnë që kryetarja e Kuvendit të jetë ushtruese detyre e presidentes.
“Unë e kuptoj përgjegjësinë, i kuptoj obligimet kushtetuese dhe zotohem se do të veproj në përputhje me kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. E dimë që ky ushtrim i kësaj pozite mbahet jo më shumë se gjashtë muaj, por unë uroj që sa më parë Kuvendi i Republikës së Kosovës të zgjedhë presidenten apo presidentin e ri. Sepse rrethanat që mund t’i presim pastaj nëse kjo nuk ndodh, pra me theks të zgjedhjet e jashtëzakonshme, mendoj se nuk janë mirë as për qytetarët dhe as vet shtetin e Kosovës, duke pasur parasysh punët që i kemi para vetës”, shtoi Haxhiu.
Ajo u ka bërë thirrje grupeve parlamentare dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës në përgjithësi, që sa më parë të gjejnë zgjidhje për çështjen e presidentit.
“Le t’i lënë anash inatet, dallimet politike, le t’i vazhjdojnë ato pasi që ta kryejnë këtë obligim kushtetues. Por, deri atëherë natyrisht se do të angazhohem maksimalisht që përgjegjësitë që ka presidentja t’i kryej me seriozitetin dhe profesionalizimin më të lartë”, tha tutje Haxhiu.